Në datën 9 Qershor 2018, Çlirim Shaholli i mori jetën gruas së tij, Adriana Shahollit, duke i përplasur kokën në dysheme. Kjo ngjarje ka ndodhur për motive të dobëta, duke lënë në këtë mënyrë 6 fëmijët e tyre jetimë. Të afërmit e 40-vjeçares thanë se autori konsumonte alkool dhe e dhunonte vazhdimisht bashkëshorten Adrianën.

Emisioni “Stop” dhe fondacioni  “Fundjava ndryshe” shkuan në familjen Shaholli në Durrës, aty ku ka pllakosur zija dhe fatkeqësia. Fëmijët e viktimës treguan se u duhet të luftojnë për mbijetesë dhe për të mbajtur dhe të vegjlit.

“Gjithçka është krejt ndryshe nga përpara, sepse mungon kreu i shtëpisë. Mungon mamaja jonë! Tani jam unë dhe vëllai i madh që duhet të mbajmë motrat tona të vogla. Jemi ne që do forcohemi dhe do mundohemi t’ia dalim mbanë, por kemi nevojë edhe për ndihmë”

, rrëfeu vajza e madhe e familjes Shaholli.

Në murin e shtëpisë së rrënuar ndodhet një pikturë, të cilën e ka bërë vajza, pasi sipas saj, ia ndjeu zemra për ta bërë në mënyrë që ta kenë gjithmonë pranë të ëmën.

“Bëra atë çfarë kisha përbrenda, dua ta kem kujtim që sa herë ta shikoj, të ndjek rrugën e mamit… Do ta bëj krenare, sepse ajo ka vuajtur shumë dhe nuk dua ta zhgënjej në asnjë moment. Na la, ajo vdiq veç për ne, që ne të jemi më mirë nga më parë. Ajo ka qenë bota për ne!”,

u shpreh ajo, duke treguar edhe marrëdhënien e saj të ngushtë me të ëmën, të cilën e konsideronte motër.

Vajza rrëfeu se ëndrra e saj më e madhe ishte të largohej nga Shqipëria dhe të punonte jashtë për të siguruar sa më shumë të ardhura për familjen e saj, ndërsa tani ajo do vetëm që motrat dhe vëllai i saj të ecin përpara dhe t’ia dalin mbanë për gjithçka çfarë duan.

“Gjithçka më duket e kotë për vete”,

tha ajo mes lotësh, duke treguar se tanimë janë detyruar të punojnë edhe i vëllai me një prej motrave për të mbajtur familjen.

Ajo bëri apel për ndihmë për familjen e saj, duke qenë se tanimë është shtylla e shtëpisë dhe dëshiron që motrat dhe vëllai të vijojnë të arsimohen dhe të kenë një jetë normale, ashtu si çdo fëmijë tjetër.

Ndërsa vëllai tregoi se prej kohësh punon për të siguruar të ardhura për familjen, pasi i ati nuk punonte.

“Unë kërkoj ndihmë që të ndërhyni në shtëpinë tonë me sa keni mundësi, pasi siç e shikoni është e shkatërruar dhe e pasuvatuar. Është në gjendje të mjerueshme!”,

u shpreh ai.

Emisioni “Stop” i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve për ndihmë dhe solidaritet për gjashtë jetimët fatkeqë./

tvklan.al