Këtë verë shefat aventurierë me kuzhinën lëvizëse do të gjenden në disa qytete të Shqipërisë, në kërkim të një shije të re. Destinacioni këtë herë ishte jugu i Shqipërisë, por asnjë prej qyteteve bregdetare. Shefat Alfio dhe Indriti eksploruan Gjirokastrën, qytetin që i ka provuar historisë proverbin “guri i rëndë peshon në vend të vet”.

“Jemi në Gjirokastër, është një vend fantastik dhe ka një gatim tradicional shumë të mirë që quhet qifqi. Mezi po presim të shikojmë qytetin dhe të takojmë zonjën që do të na tregojë recetën fantastike dhe më pas të hipim në autobus dhe të modifikojmë recetën ashtu siç dimë ne”

, tha Alfio.

Përgjatë shekujve aspak të qetë, kjo qendër qytetërimi ka qenë shtëpia e shumë figurave të spikatura të historisë. Në qytetin që ka pushtuar faqen e malit është e paimagjinueshme se si shtëpitë ia dalin të qëndrojnë në këmbë në terrenin e pjerrët. Ismail Kadare e ka quajtur “qyteti më i pjerrët në botë që ka thyer ligjet e arkitekturës dhe urbanistikës”.

Për herë të parë në jetën e tyre shefat e “Bukë, kripë dhe zemër” përgatitën qifqi, recetën e të cilës ia tregoi zonja Eli.

Gjatë emisionit Eli tregoi përbërësit që nevojiteshin për recetën dhe më pas e përgatiti recetën sëbashku me Alfion dhe Indritin. Pas përgatitjes së recetës tradicionale, shefat u rikthyen në kuzhinën e tyre, ku edhe përgatitën recetën e modifikuar për qytetarët e Gjirokastrës.

/tvklan.al