Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha mbrëmjen e së martës në “Opinion” se Greqia ka konfirmuar ekzistencën e Ligjit të Luftës.

Ai tha se Greqia do ta shfuqizojë këtë ligj me një akt të së njëjtës vlerë, teksa më pas listoi edhe kategoritë që do të përfitojnë nga shfuqizimi i këtij ligji.

“Tanimë nuk ka asnjë dilemë për këtë gjë, është konfirmuar edhe nga ministri i Jashtëm grek, është e konfirmuar nga diskutimet intensive në Kretë dhe në Korçë që Ligji i Luftës ekziston dhe në mënyrë që të shfuqizohet plotësisht duhet një akt i së drejtës greke, ekuivalent me dekretin…Janë tri kategori përfituesish nga shfuqizimi i këtij ligji, pronat e shtetasve shqiptarë, pronat e shtetit shqiptar dhe pronat e shtetasve shqiptarë me kombësi greke, pra minoritetit.”

/tvklan.al