Korrespondentja e njohur e ABC News dhe Tv Klan, Erisa Zykaj, jeton tashmë prej 17 vitesh në Bruksel.

E ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, Zykaj rrëfeu raportimet më të vështira të karrierës së saj, ndërkohë që gjatë emisionit përkujtoi edhe sulmet e 22 Marsit të 2016-ës në Belgjikë.

Ajo e cilësoi si raportimin më të vështirë atë të Belgjikës, pasi nuk kishte komunikuar për rreth 40 minuta me bashkëshortin e saj, i cili ishte nisur të çonte djalin në kopsht. Gjatë kohës që fliste, gazetarja nuk mundi t’i mbante lotët.

“Ka patur një ndërprerje të komunikimi telefonik që zgjati rreth 40 minuta dhe njerëzit nuk komunikonin dot me njëri-tjetrin. Ndodhën dy sulme, unë nuk po mendoja fare për veten time, por nuk po komunikoja me Zakun (bashkëshortin), i cili kishte përcjellë djalin për në kopsht. Kur gazetarja më pyeti a ke komunikuar me familjen, mua aty më kapi paniku, po mbaroja nga paniku. Ky ka qenë raportimi më i vështirë në jetën time”.

Zykaj foli edhe për raportimin e saj gjatë luftës së Kosovës.

“Gjatë luftës së Kosovës kam patur raportime prekëse, përktheja për mediat franceze. Unë isha aq e prekur, kam qarë, ishte gjithë ai dhunim, gjithë ajo përdhosje. Kjo është vlerësuar shumë sepse unë arrita të përkthej dhe përcjell edhe emocionet e kosovarëve”,

tha Zykaj.

/tvklan.al