Histori me zhurmues – Më 6 Shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mbajti një fjalim përpara organizatave bazë të partisë. Kjo ditë njihet edhe si dita e fletërrufeve, motoja e të cilave ishte thirrja e Enver Hoxhës:

“Cilido me zë të lartë të shkruajë se ç’mendon për punën dhe njerëzit”.

Në qendër të Tiranës afishoheshin fletërrufetë, të cilat godisnin persona të ndryshëm. “Histori me Zhurmues” me autor dhe drejtues Pandi Laçon i ka kushtuar një pjesë të emisionit fletërrufeve ku tregon rëndësinë që iu dha në atë kohë.

Personit të cilit i ishte adresuar fletërrufeja duhej t’i kthente përgjigje. Në përgjithësi ai duhej të bënte autokritikë ose të justifikonte gabimet e veta. Por kishte raste që një individ nuk i përgjigjej fletërrufesë, atëherë atë e pasonin fletërrufe të tjera. Por personi mund të kishte edhe pasoja të tjera. Njëra nga këto ka qenë fletërrufeja kriminale drejtuar një prej gjuhëtarëve më të shquar Selman Riza, me titull:

“Ti pritet koka Selman Rizës”

Me arsyen e vetme se kishte kritikuar për çështje shkencore drejtuesit e institutit të Histori-Gjuhësisë. Pas kësaj profesor Selman Riza u dërgua në bibliotekën e Beratit, ku edhe doli në pension. Përmasat që mori fletërrufeja në atë periudhë u pasqyruan edhe në shtypin e shkruar.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al