Shpirti i bukur dhe sigurisht shumëçka tjetër që mund të shijosh në Shën Petërburg, e kanë shndërruar atë në një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Evropë.

Për më tepër gjatë kësaj vere, kur sytë e gjithë sportdashësve janë përqëndruar në garën e Botërorit në stadiumet e tij, dhe ato të Moskës.

Dhe ky ishte pikërisht destinacioni i radhës për protagonistet e emisionit “Check In” në TV Klan.

Albana Nanaj: Për t’iu rrëfyer Shën Petërburgun, mjafton të ndjekësh gjurmët e dy njerëzve, vulën e të cilëve ai mban.

Pjetrit të I-rë që e formuloi dhe i dha drejtim modern dhe Katerinës së II-të, që i dha formën dhe ia zgjeroi hapësirat ose dy të mëdhenjtë siç njihen.

Gjithçka e krijuar nga ata dhe për ta në arkitekturë dhe art, është një atraksion turistik që nuk duhet humbur.

Në këtë qytet 300-vjeçar, epokat ndërthuren me njëra-tjetrën siç bëhet bashkë dhe trashëgimia e Pjetrit dhe Katerinës.

Shën Petërburgu me mbi 5 milionë banorë, është një qytet shumë i madh. Një pjesë e tij është ndërtuar përgjatë lumit Neva, ndër më të mëdhenjtë në Evropë.

Prej tij mori emrin Aleksandër Nevski, princi që u dha rusëve fitoren kundër suedezëve pikërisht në brigjet e këtij lumi.

Sot, brigjet e Nevës vizitohen nga turistët e shumtë. Dita e dytë, i çoi ato larg qytetit, në pallatin dhe parkun e Peterhovit.

Albana Nanaj: Ky është një nga ato vende që mua më ka lënë shumë mbresa gjatë udhëtimit tim të parë në Rusi dhe është një ndalesë e detyrueshme, për të gjithë ata që mund të vijnë, për të vizituar Shën Petërburgun dhe Rusinë, bëhet fjalë për pallatin e Katerinës. Pallati që arkitekti Bartolomeu ndërtoi me urdhër të Pjetrit.

Dorina Daka: Pastaj kur e mori Katerina e Madhe në dorë, thonë hodhi rreth 100 kilogram ar, për të veshur kupolat për t’i dhënë stilin e saj.

Më pas ndërtoi dhe ato kopshte që janë përtej që i ngjajnë Versajës, të mrekullueshëm.

Pas Shën Petërburgut radha i erdhi kryeqytetit rus, i cili qëndron plot pushtet dhe krenar.

Këtu atmosfera ndryshon, madhështi është fjala që i shkon natyrshëm pamjes, qyteti të imponon pushtet dhe qendra e pushtetit është Kremlini.

Sheshi i kuq me gjithë godinat brenda dhe katedralja e Shën Vasilit, qendër pushteti dhe turizmi.

Është zemra e Moskës. E gjithë Rusia njihet edhe si vendi i kupolave të arta, si ajo e Krishtit shpëtimtar, një katedrale me pesë të tilla dhe fare pranë Kremlinit.

Moska ka shumë pika të detyrueshme për të vizituar, por edhe të tjera që nuk janë në harta turistike, por jo më pak interesante.

Pak ditë para fillimit të Botërorit, protagonistë të shesheve kryesore të Moskës ishin punimet për krijimin e fan-zonave dhe mjediseve për pritjen e tifozëve, për shfaqjen e ndeshjeve në shesh.

Dhe për ata që janë fansa të futbollit, ky qytet do të ofrojë më të mirën, dhe një nga vendet për të cilët vijnë posaçërisht sportistët tifozë këtë verë, janë edhe stadiumet e Moskës dhe të gjithë zonat sportive përreth tij.

Moska është një qytet që duhet vizituar në çdo kohë për të gjithë përjetimin e bukur që të fal./tvklan.al