Ky është momenti i grabitjes së ndodhur në zyrat e Agjencisë Adisa në Hipotekën e Tiranës pasditen e së hënës. Aty duket se si grabitësi ndodhet pranë sportelit të filialit të bankës ndërsa i ka drejtuar armën sportelistes duke i kërkuar paratë.

Pamjet janë regjistruar nga një prej kamerave të sigurisë dhe tashmë janë duke u analizuar nga ekspertët kriminalistë të policisë, për të hedhur dritë mbi grabitjen.

Ai mbërriti me një çadër me të cilën kishte mbuluar fytyrën. Pasi e la jashtë rregulloi kapuçin dhe hyri brenda. Fillimisht kërcënoi punonjësin e sigurisë dhe më pas u drejtoi armën punonjësve të zyrës së Informacionit. Një punonjëse e Agjencisë Adisa, i tha Tv Klan në kushte anonimati se të gjithë u detyruan të ulnin kokat.

Pasi mori paratë, autori u largua, por nga shpejtësia u përplas me derën e jashtme, e cila hapet me shinë automatike. Sipas dëshmitarëve autori ishte me trup të dobët dhe rreth 170 cm i gjatë.

Ekspertët kanë marrë si provë edhe çadrën e përdorur me shpresën se në të mund të gjejnë gjurmë apo mbetje biologjike që mund të ndihmojnë hetimin. Policia ka shoqëruar mbi 30 persona të dyshuar, që pas intervistimit janë lënë të lirë.

Në vijim të hetimeve, një punonjës i kompanisë private të sigurisë u arrestua. 48-vjeçari u vu në pranga me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk reagoi në momentin e grabitjes. Përgjegjësi i sigurisë së sallës operative të kompanisë private, 61 vjeç është proceduar në gjendje të lirë.

Tv Klan