Këto janë pamjet e sherrit fizik të ndodhur të enjten në qytetin e Elbasanit, mes ish-deputetit Luçiano Boçi dhe biznesmenit Gjergj Luca.

Në këtë video të siguruar nga tvklan.al shihet momenti kur Boçi godet me grushta Lucën, ndërkohë që një person i tretë e mban këtë të fundit nga duart. Për shuarjen e sherrit, siç shihet në video, ndërhyjnë persona të tjerë.

Përplasja fizike mes Luçiano Boçit dhe Gjergj Lucës ndodhi në një lokal në Labinot ku kandidati demokrat për deputet ishte në një takim me qytetarë.

Për ngjarjen në fjalë pati fillimisht reagim nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, njëherazi numri 1 i selisë blu në listën e kandidatëve për deputetë në Elbasan, Gazment Bardhi, i cili u shpreh se kolegu i tij Luçiano Boçi ishte sulmuar nga biznesmeni Gjergj Luca.

Ndërsa vetë Luçiano Boçi u shpreh se biznesmeni i ishte afruar duke e ofenduar dhe më pas kishte pasur një përplasje fizike. Boçi tha se gjatë përplasjes Luca e kishte kërcënuar me jetë.

Reagim pati edhe biznesmeni Luca, që kërkoi zbardhjen e ngjarjes.

Z.Boçi ishte me një njeri duke bërë bisedë te dera, unë isha duke hyrë duke pirë kafe. Dhe më e bukura është që i kam çuar fjalë, i kanë çuar fjalë dhe këta të policisë, më ka grabitur edhe telefonin. Më ka rënë telefoni në tokë, më ka marrë telefonin edhe nuk më japin telefonin. Megjithatë, unë uroj Zotin që kjo të zbardhet, ishalla jep kamerat, ishalla policia i ka marrë kamerat edhe ta zbardhi që ky jo vetëm është rrugaç, por është edhe grabitës, se më ka marrë telefonin. Edhe kamarieri, dhe dy njerëz që kanë qenë aty e kanë parë”, u shpreh biznesmeni Luca.

Sa i përket telefonit, në pamje shihet momenti kur bie në tokë, megjithatë nuk është e qartë se nga xhepi i kujt, Lucës apo Boçit. Ajo që dallohet qartë është që ai që e merr telefonin është ish-deputeti Boçi.

Pas përplasjes palët bënë kallëzim në prokurori duke akuzuar njeri-tjetrin për dhunë./tvklan.al