Një operacion antidrogë në Sarandë për pak sa nuk ka përfunduar në viktima. Në pamjet filmike të siguruara së fundmi nga Tvklan.al, duket ndjekja si nëpër filma, që policia u bën trafikantëve të hashashit dhe momenti kur të dyja palët rrezikojnë jetën, pasi përfundojnë në lumë, ngjarje e ndodhur më 12 Mars.

Dy të rinjtë nga Tepelena, të cilët po transportonin kanabis në drejtim të Sarandës, janë batuar kur në Qafë të Muzinës janë përballur me një postobllok policor, të ngritur nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve.

Me një makinë BMW që i jepte mundësinë për të provuar largimin, 33-vjeçari Luan Merkohasani, shofer, ka shtuar gazin dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë, që i është vënë menjëherë në ndjekje.

Për rreth një orë nga Qafa e Muzinës deri në fshatin Vergo të Delvinës, distancë prej 33 kilometrash, trafikantët nuk i janë bindur sinjalizimeve zanore të policisë dhe ndjekjes dhe kanë tentuar t’i shpëtojnë duke u futur në një rrugë të pa shtruar, në fshatin Vergo.

Pranë një lavatriçe zhavorri si pasojë e shpejtësisë së madhe, rrugës së pa shtruar dhe një ure me kënd të kthesës shumë të ngushtë, kanë rënë në lumin e Kalasë njëra pas tjetrës dy makinat, ajo e trafikantëve me targë AA676 OU ngjyrë e zezë dhe ajo e policisë tip Benz ngjyrë gri, me targë Policia 0561.

Autori kryesor, i cili ishte dhe drejtues i mjetit, ka arritur të dalë menjëherë nga makina dhe t’i shpëtojë ndjekjes policore ndërsa shoku i tij, 16-vjeçari Andi. O është kapur disa metra larg vendngjarjes në përpjekje për t’iu fshehur policisë. Siç raportohet, efektivët e policisë dhe i arrestuari u lënduan lehtë. Në makinën e trafikantëve policia gjeti 6 kilogramë drogë kanabis sativa. Një muaj më vonë, Luan Merkohasani u vetëdorëzua në polici duke pranuar fajësinë dhe duke shfajësuar shokun e tij Andi O.

33-vjeçari nga Tepelena rezulton të jetë një person me precedentë të mëparshëm penalë. Në Prill të vitit 2012, ai u arrestua pasi u akuzua se kishte përdhunuar një 13-vjeçare nga Tirana.

Policia e Sarandës, gjatë 4 muajve të fundit ka rritur forcën goditëse ndaj trafikimit të lëndëve narkotike, duke zënë në befasi trafikantët, të cilët siç raportohet, e sjellin kanabisin nga Tepelena, me qëllim depozitimin në Sarandë, Vlorë dhe Delvinë, me qëllim trafikimi drejt Italisë. /

tvklan.al