Ermal Meta dhe Fabrizio Moro triumfuan në edicionin e 68-të të Sanremos. Por, rrugëtimi i dyshes që preku zemrat me temën e dhunës e terrorizmit, nuk qe aq i lehtë. “Non mi avete fato niente” u pezullua gjatë festivalit dhe pas verifikimeve, dyshja u rifut në garë.  

Megjithatë, telashet për Ermalin nuk përfunduan me ngritjen e luanit të artë në skenën e Ariston. Fill pas fitores, ai u përpoq të shprehë ndjesitë e tij në lidhje me mesazhin e fortë që kënga përcjell…

“Kur e këndova për herë të parë këtë refren, më kaloi fëmijëria para syve. Më vinte ta këndoja: “Bastard, nuk më ke bërë asgjë”. 

Kaq do të mjaftonte që mediat italiane t’i riktheheshin edhe njëherë të shkuarës së trishtë të 36-vjeçarit me origjinë nga Fieri.

Shumë artikuj u shpërndanë duke aluduar se fjala “Bastard” e thënë në post Sanremo nga Ermali, i drejtohej pikërisht të atit, të cilit 36-vjeçari i është hakërryer edhe më herët. Një vit më parë, po në Sanremo Ermal Meta këndonte “Është e ndaluar të vdesësh”, “Vietato morire”. Atë kohë, nëpër intervista Ermali rrëfente për kujtime aspak të lumtura. Këtë panoramë u mundua ta pasqyrojë dhe media shqiptare. Artikujt e përmendur nga gazetarët italianë, u përkthyen dhe u shpërndanë për publikun tonë.

Por, këtë herë çështja kishte kaluar përtej kufijve artistike. Ermal Meta, kantautori i cili përdorte të shkuarën e tij si burim frymëzimi për muzikën, me sa duket nuk e përballoi dot realitetin!

Nën presionin e titujve bombastikë që publikoheshin në mediat italiane dhe përktheheshin në vendlindje, 36-vjeçari reagoi për herë të parë në shqip. Çuditërisht me një deklaratë fyese, ekskluzivisht ndaj gazetarëve shqiptarë, me pretendimin sikur lajmet mbi të shkuarën e tij, ishin spekulime nga mediat tona.  

Në përpjekje për të mësuar më shumë rreth të kaluarës shqiptare të fituesit të Sanremos, “Jo vetëm modë” tentoi të lidhet me babanë e Ermalit, zotin Gëzim, por pa sukses.

Megjithatë, nëna e artistit shqiptar, Mira Borova, pranoi të komunikojë, duke mbështetur versionin e të birit që sapo i ishte kundërvënë shqiptarëve.

“Gazetat Shqiptare të mbajnë një përgjegjësi të madhe për fantazitë që përdorin dhe ne jemi shumë të prekur nga kjo gjë në vend të jemi të lumtur. Edhe i ati i Ermalit do gëzonte ndryshe po të mos shkruheshin të gjitha budallallëqet që janë shkruar.

Duhet të mendoni që sot që Ermali është 36 vjeç domethënë burrë ai s’ka nevojë të flasë për gjëra të tilla. Keni futur në zjarr dhe keni ngritur mure midis dy familjeve normale që bëjnë një jetë tepër normale. Fati e donte të ndaheshim dhe çdo njeri nga ne ka familjen e tij. Mendoni se sa të lënduar janë fëmijët e tij sot që nuk hynë fare në këtë çështje që ne nuk kemi ftuar njeri të na e zgjidhë.

Jam shumë e indinjuar nga gazetarët shqiptarë pasi një fitore e tillë që nuk është vetëm e Ermalit është kthyer në polemikë për babanë e dhunshëm. Gjërat para se të thuhen duhet të mendohen mirë dhe të jenë të përgjegjshme. Ermali nuk ka folur asnjëherë për dhunë pasi e para nuk flet për gjëra personale, e dyta nuk flet për persona që nuk janë prezentë. Edukata e tij nuk ja lejon dhe ju ma merr mendja e keni konstatuar këtë.”

Por,  në një intervistë për revistën “TV sorrizi e canzoni” e marsit të vjetshëm, Ermal Meta rrëfeu një të vërtetë tjetër për publikun italian: Kur më pyesnin në intervista se si ishte fëmijëria ime, iu përgjigjesha thjesht; ‘E bukur’. Por e vërteta është se shumë gjëra që i takojnë atyre viteve, i mbaj brenda, por i kujtoj nga shenjat që kam ende në trup. Kënga ime “Vietato morire”, ka në brendësi të saj një histori personale, (teksti tregon rebelimin e një djali të abuzuar nga babai)”.

Megjithatë, e gjithë kjo situatë kontradiktore, duket se zhvlerësohet përpara sfidës së ardhshme për shqiptarin Ermal Meta. Sidoqoftë, këtë herë mbetet për t’u parë nëse sërish shqiptarët do të tregohen mbështetës, kur Ermali të këndojë në skenën e Eurovision-it.

/tvklan.al