Pas përjashtimit të deputetit të Partisë Demokratike Edmond Spaho nga seanca parlamentare, në Kuvend ka pasur tensione mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Këta të fundit mbanin të bllokuar foltoren e Parlamentit, duke mos lejuar anëtarët e mazhorancës që të flisnin.

Gjatë fjalës së deputetit Fadil Nasufi të Partisë Socialiste, deputetja demokrate Dhurata Çupi shkoi dhe i uli mikrofonin duke i kërkuar që të mos flasë në të tilla kushte.

Në këtë moment, pati konfrontim verbal mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Kryeparlamentari Ruçi urdhëroi Gardën që të krijonte kordon për të shmangur konfrontim të mundshëm mes deputetëve.

Opozita protestoi në sallën e Parlamentit për shkak se kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ndërpreu fjalën deputetit Spaho dhe e përjashtoi nga seanca e sotme. Demokrati Edmond Spaho nisi të diskutonte për ekstradimin e Nezar Seitit, por sipas Ruçit, kjo çështje nuk është në rend të ditës. /

tvklan.al