“Në “bucket list”-in (lista e gjërave për të bërë) tim kam një pjesë ku them: Dua t’i them të gjitha gjërat që duhen thënë. Dhe tani e ndjej që është situata e duhur për ta filluar këtë”

. Kështu tha shkrimtari Albatros Rexhaj në studion e “Rudina” në Tv Klan lidhur me projektin e tij të ardhshëm.

Gjatë emisionit, shkrimtari tregoi se po kalon një moment të vështirë në jetën e tij për shkak të disa problemeve shëndetësore dhe tha se ky ishte momenti për të shkruar “letrat e lamtumirës” siç i quan ai.

“Janë disa mendime të miat për disa gjëra që unë nuk kam folur. Ky është plani im tani, do t’i shkruaj të gjitha këto, por nuk do t’i publikoj si libër. Dua që njerëzit t’i lexojnë dhe të reflektojnë mbi ato mendime. E kam shumë të domosdoshme ta bëj këtë, sepse disa gjëra unë i kam neglizhuar. Ky është një testament artistik ose personal, merreni si të doni. Por unë kam nevojë ta them dhe ta shkruaj.

Ndonjëherë gjërat nuk përfundojnë ashtu siç i mendojmë ne, por kjo është gjëja e radhës në të cilën unë do të përfshihem. Pastaj nëse kemi jetë dhe jemi mirë kam ndërmend të shkruaj dhe t’i bëj njerëzit disa të lumtur dhe disa nervozë. Nëse gjërat në jetë do të jenë mirë, unë nuk kam ndërmend të ndalem, por si shkrimtar e kam privilegjin të punoj deri në fund. Unë kam filluar t’i shkruaj këto letra dhe janë tema për gjëra që unë i konsideroj esenciale në jetë

”, tregoi shkrimtari.

/tvklan.al