Kjo është makina Citroen ku udhëtonin 5 anëtarët e një familjeje nga Kosova, 4 prej të cilëve u shuan tragjikisht këtë të enjte në një aksident rrugor të ndodhur në rrugën e Kombit, ndërsa fëmija i mitur i familjes mbeti i plagosur rëndë.

Tvklan.al sjell pamjet rrëqethëse të automjetit me targa 01 351 MH ku shihen sendet e familjes të shpërndara në rrugë.

Siç mund të shihet edhe nga dëmtimet që makina e tyre ka pësuar, përplasja ka qenë mjaft e fortë.

TVKLAN.AL LIVE nga vendi i ngjarjes

Tvklan.al ishte live në aksin rrugor Milot-Morinë, aty ku ndodhi aksidenti tragjik. Makina policie, ambulanca e punonjës të mirëmbajtjes rrugore po pastrojnë tashmë rrugën. Siç mund të shihet, makina Citroen me të cilën udhëtonte familja është hequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa kamioni që drejtohej nga një shofer po nga Kosova, ndodhet ende aty.

Identifikohen viktimat, emrat

Viktimë nga kjo ngjarje tragjike mbetën B.Avdijaj, 51 vjeç, A.Avdijaj, 34 vjeçe, M.Avdijaj, 6 vjeçe, K.Koçi, 11 vjeç,.

E vetmja e mbijetuar është vajza e vogël e familjes, e cila ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ajo është 3-vjeçarja V.Avdijaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, ku makina e familjes nga Kosova u përplas me një kamion.

Dyshimet paraprake janë se shkak për aksidentin u bë një parakalim i gabuar nga makina e familjes Avdijaj.

Më herët tvklan.al solli edhe pamjet nga vendi i ngjarjes.

Policia e Lezhës në informacionin për ngjarjen:

Lezhë/Informacion paraprak Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.

Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen” , bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

/tvklan.al