Ndonëse kishte kaluar mesnata dhe lëvizjet në kryeqytet ishin të pakta për shkak të kufizimit të lëvizjes, ka qenë një shofer, i cili ka filmuar se çfarë ka ndodhur disa momente pas vrasjes së Klodian Rashës.

Bëhet fjalë për drejtuesin e automjetit që ndalohet fillimisht nga efektivi Nevaldo Hajdaraj dhe kolegu i tij para se të ndiqej dhe më pas të qëllohej 25-vjeçari.

Në të gjithë ngjarjen, shoferi del nga makina vetëm pas të shtënës së parë të policit. Pas kësaj, efektivët i kanë kërkuar atij të largohet.

Në këto pamje të siguruara nga gazetari Spartak Koka dhe të publikuara mbrëmjen e kësaj të marte në Opinion, shihet momenti kur forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Bëhet fjalë për disa makina policie, motorë të “Shqiponjave” dhe rreth 16 efektivë të rendit.  

“Kjo është video e filmuar nga një prej personave dëshmitarë, të cilët janë marrë në pyetje nga prokuroria. Është drejtuesi i automjetit. Po të kthehemi në videon e parë është një drejtues mjeti i cili del pas të shtënës së policit për të parë se çfarë po ndodhte, për herë të parë pas 2 minutash e 43 sekondash që zhvillohet e gjithë ngjarja. Është ky person i cili pas disa minutash i është thënë të largohej dhe ka filmuar teksa është rrotulluar. Ka ikur, i kanë thënë të largohet pa i verifikuar dokumentet dhe është dashur 5 ditë që të gjendej se kush ishte personi i cili kishte qenë në automjetin privat. Është rrotulluar në krahun tjetër të rrugës dhe ka bërë një video. Ora që pretendon zotëria rreth orës 1:16. Shiko makinat e policisë, 1, 2, furgoni kemi 3 motora të  “Shqiponjave”, rreth 16 punonjës policie, kemi 2 makina të tjera. Në këtë video nuk kuptohet është transportuar drejt spitalit, apo jo”, tha gazetari Spartak Koka.  

Një natë më parë, në emisionin Uniko, gazetari Spartak Koka transmetoi për herë të parë pamjet ekskluzive të vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Në pamjet e fiksuara nga këndi i një kamere, duken lëvizjet e Klodian Rashës dhe të patrullës policore që mbërrin në rrugën “Dritan Hoxha”.

E gjithë ngjarja, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda. /tvklan.al