Policia e Tiranës ka zbardhur vrasjen e Dëfrim Kasmit, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz mbrëmjen e 29 Janarit në kryeqytet. Katër persona janë arrestuar dhe një i pestë është shpallur në kërkim si porositës i atentatit ndaj Kasmit. Ekzekutor i 41-vjeçarit është një shtetas grek nga Arta, i quajtur Efthymiou Efthymious 41 vjeç, ish-agjent special i Policisë Greke në periudhën 1992-2012.

“Shtetasi grek është vetëdeklaruar si ish-punonjës i forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në vitin 2012, kohë në të cilën ai është përjashtuar nga kjo strukturë, sepse është konstatuar si trafikant i lëndëve narkotike”,

deklaroi Ardi Veliu, drejtor i Policisë së Tiranës.

Personat e tjerë të arrestuar janë Elton Halipaj 36 vjeç nga Skrapari, Malvin Dinellari 30 vjeç nga Korça, Elton Hoxhallari 36 vjeç nga Tirana. Në kërkim është Aurel Hoxhallari 41 vjeç nga Tirana, organizator i vrasjes.

Drejtori i Policisë së Tiranës Ardi Veliu ka treguar edhe rolet e të arrestuarve. Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit D.K. si vrasës me pagesë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpuntor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni të mirë-organizuar janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.

Gjatë operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

– 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit

– 4 armë automatikë

– 2 snajper

– 4 pushkë automatike

– 1 armë antitank me 2 predha

– 1 bombë me telekomandim në distancë

– sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol

– 4 radio marrëse

– 1 dron

– 110 kg kanabis

– 2 maska

Grupi i punës vijon me intensitet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të. /

tvklan.al