Një aksion i koduar “The Weekend Surprise” i Policisë së Tiranës, ka çuar në arrestimin e një 44-vjeçari, i cili shpërndante kokainë në disa zona të kryeqytetit. Ai është Fatjon Veseli, i dënuar më parë për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Dy bashkëpunëtorët e tij në këtë aktivitet kriminal janë shpallur në kërkim.

Uniformat blu ishin në ndjekje të 44-vjeçarit Veseli, pasi dispononin informacion ai shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në formë dozash në bazë klientele, në zonën e “Ish- Bllokut”, “Komunës së Parisit” dhe “Tiranës së Re”.

Fatjon Veseli u kap në flagrancë në zonën e liqenit artificial dhe gjatë kontrollit personal, brenda çantës së tij i është gjetur 201 gram kokainë. Policia sekuestroi gjithashtu një motor dhe një celular.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi është gjetur një motor pa targa, i cili pas verifikimeve të kryera rezultoi i vjedhur.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. /

tvklan.al