Një shqiptar ka terrorizuar banorët dhe policinë në Athinë, teksa i armatosur kërcënonte se do të qëllonte me armë pronarin e një dyqani dhe oficerët e policisë.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 22:00 me orën lokale në rrugën “Achilleos” në kryeqytetin grek.

Gazeta “Protothema” shkruan se 30-vjeçari nga Shqipëria ishte në gjendje të dehur kur kërcënoi të vriste me çifte pronarin e një kreperie. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, në përpjekje për të neutralizuar shqiptarin. I armatosur me çifte, ai kërcënonte të qëllonte edhe drejt tyre. Më pas u ngjit në katin e dytë të pallatit në banesën e tij dhe kërcënoi se do të vriste edhe bashkëshorten.

Forcat speciale rrethuan të gjithë zonën dhe hynë në ndërtesë. Ata nisën negociatat me të dhe më pas e bindën 30-vjeçarin të dorëzohej. Ai u arrestua si dhe u sekuestrua arma e gjahut. Shtypi grek nuk ka bërë të ditur identitetin e tij

. /tvklan.al