62 janë talentet e përzgjedhur për spektaklin më të ri “Virtuozët”, që ngre siparin mbrëmjen e së dielës, më 11 Shkurt në ekranin e Televizionit Klan. Ata u përzgjodhën në mesin e 400 pjesëmarrësve në audicione dhe prej javësh tashmë përgatiten për spektaklin.

Talentët e rinj do të konkurrojnë në 3 kategori; instrument, kanto dhe balet klasik. Çdo të diel, në skenën e madhe të Televizionit Klan do të performojnë 10 deri 12 konkurrentë, 4 – 5 instrumentistë, 3 kanto dhe 3 balet. Prej tyre në fazën tjetër do të kalojnë 4, por mund të ketë edhe përjashtime, pasi juria mund të vendosë që të kalojnë edhe më shumë.

Në panelin e jurisë do të ulen instrumentisti Genc Tukiqi, balerina Andeta Toromani dhe sopranoja Mirjan Tola, të cilët do të vlerësojnë talentet në fushën e tyre.

Ashtu siç dihet, “Virtuozët” do të vijë nën drejtimin e sopranos me famë botërore Inva Mula, e cila pritet që gjithashtu të surprizojë publikun me performancat e saj. Gjithashtu, nuk do të mungojnë edhe të ftuarit specialë.

Protagonistët e këtij spektakli janë talente të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Spektakli do të ketë 6 netë kualifikuese, dy çerekfinale, një gjysmë finale dhe një finale.

Konkurrentët do të shoqërohen nga orkestra filarmonike “Ibrahim Madhi” e Akademisë së Arteve, nën drejtimin e maestrove Suzana Turku dhe Gerard Akoka. Spektakli vjen me koreografi nga Blerina Arbana, skenarist Pandi Laçon dhe regjisor Bledi Laçon.

“Virtuozët” është patentë e suksesshme ndërkombëtare “Prodigies” nga Endemolshine dhe vjen për herë të parë në Shqipëri, në Tv Klan dhe KlanHD.

Për të parë nga afër punën, Caroline Gavignet, producentja e “Prodigies” si dhe drejtorja e spektakleve të EndemolShine në Francë ishte në Tiranë. Në një prononcim për tvklan.al, Gavignet u shpreh e befasuar me punën e bërë dhe me talentet shqiptare.

“Unë jam Caroline Gavignet, producentja e “Prodigies” si dhe drejtorja e spektakleve të EndemolShine në Francë. Mendoj se keni një skenografi shumë të mirë, që ngjason me versionin francez që ne kemi bërë. Jam e befasuar në fakt, sepse skenografia është e mrekullueshme dhe niveli i konkurrentëve është shumë i mirë. Gjatë provave më bëri përshtypje që është përfshirë edhe instrumenti i baterisë, pasi ne kemi pasur vetëm instrumente klasike, por mendoj se është mjaft interesante.

Po ashtu jam e impresionuar me Inva Mulën, pasi ajo është shumë e njohur si këngëtare soprano, por në këtë format do ta shohim si moderatore dhe producente, çka është diçka e jashtëzakonshme. 

Gjithashtu më kanë bërë shumë përshtypje kushtet teknike që Tv Klan ka vënë në dispozicion të spektaklit. Drejtori i Programacionit të këtij televizioni, Albert Dumani më tregoi programet që transmetoni dhe ajo çfarë më bëri përshtypje është që prodhoni programe origjinale”.

E teksa vetëm pak ditë nga ndajnë nga “Virtuozët” ne po ju sjellim disa momente nga provat.

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”405″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]

/tvklan.al