Një veprim për t’u përshëndetur ai i qytetarëve francezë që i kanë dalë në krah një familje shqiptare në Perpignan të Francës, për të mos lejuar deportimin e saj. Familja Mitaj, e cila mbahet në arrest shtëpie nga autoritetet franceze, rrezikon kthimin pas në Shqipëri.

Ditën e djeshme (e mërkurë), autoritetet shkuan për të marrë 4 anëtarët e familjes Mitaj (nëna, babai dhe dy fëmijët 10 e 16 vjeç) dhe për t’i shoqëruar në aeroport, ku do të merrnin fluturimin për në Shqipëri. Por, rreth 100 persona u mblodhën përpara hotelit ku po mbahet kjo familje, duke mos lejuar autoritetet që të hynin për t’i marrë.

Mes tyre ishin edhe 30 mësues. Njëri prej tyre, Sebastien Saque, mësuesi i gjeografisë, kishte marrë me vete edhe dëftesën e Amarildës, një nga fëmijët e çiftit Mitaj. Amarilda 16 vjeç kishte dalë me nota të shkëlqyera dhe mësuesi i saj kundërshtonte dëbimin e 16-vjeçares.

“Ekziston një padrejtësi e dukshme. Është një familje që ka dëshirë vërtetë për t’u integruar”

, thotë ai.

Ndërsa mësuesja e matematikës, Sabrina Nouni shtoi:

“Përveç kësaj, ka prova të pakundërshtueshme për rreziqet me të cilat do të përballen nëse kthehen në Shqipëri. Nuk e kuptojmë pse kjo dëshmi nuk merret parasysh”.

Sipas informacioneve mediatike, kryefamiljari Mitaj është përballur me një tentativë vrasje në Shqipëri. Për shkak se mbahen nën arrest shtëpie, familja Mitaj duhet të paraqitet çdo të mërkurë në polici në orën 14:00. Qytetarët francezë të komunitetit ku ata jetojnë, kundërshtojnë dëbimin e familjes shqiptare dhe mblidhen përpara hotelit ku qëndrojnë për të penguar autoritetet që t’i marrin. Brenda 48 orëve, janë mbledhur më shumë se 4400 firma përmes një peticioni në internet, që kundërshtojnë deportimin e familjes Mitaj.

Marjana dhe Kastriot Mitaj shkuan në Francë dy vite më parë, së bashku me dy fëmijët e tyre për shkak se në Shqipëri u kërcënohej jeta. Vajza e tyre e madhe, Amarilda përfundoi shkollën me rezultatet të shkëlqyera. Ndërsa mësuesit francezë thonë se çifti Mitaj është gjithmonë korrekt në takimet që mbahen me prindërit në shkollë, dhe nuk mungon në asnjë prej tyre.

Pavarësisht se babai i saj kërcënohet me vdekje në vendin e tonë, Zyra Franceze e Pritjes së Refugjatëve ka refuzuar kërkesën për azil të familjes Mitaj. Në një stituatë të tillë, në mbrojtje të tyre ka dalë edhe Kisha Katolike në vend. Peshkopi i Perpignan-Elne, Monsinjor Norbert Turini i ka dërguar një letër Prefekturës, duke mbështetur kërkesën për azil të familjes Mitaj.

Më 5 Shtator është data e radhës kur familja Mitaj duhet të deportohet nga Franca, por deri atëherë mbështetësit e tyre kanë deklaruar se do të dalin në mbështetje të familjes shqiptare. Jo gjithçka ka marrë fund për ta. Ekziston edhe një shans i fundit, pasi refuzimi i kërkesës nuk është përfundimtar. Gjykata Kombëtare e Azilit duhet të shqyrtojë apelin e fundit dhe të marrë parasysh faktet e kërkesës për azil.

/tvklan.al