Gazetari Jetmir Olldashi pranon se nuk e ka parë Albert Veliun i njohur ndryshe si “Dëshmitari X” të bisedojë me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion”, Olldashi rrëfen se biseda u zhvillua në 24 Tetor 2017 në brendësi të një lokali në Vlorë që sipas Veliut është në pronësi të Xhafajt pa praninë e tij.

Materialin ia ka dhënë Partisë Demokratike që në muajin Mars pa pasur mundësi të vërtetojë autenticitetin e tij.

Gazetari investigativ thotë se nuk mund të japë garanci që personi me të cilin ka folur “Dëshmitari x” është Agron Xhafaj pasi një gjë të tillë duhet ta vërtetojë Prokuroria.

Ai nuk ka dhënë një shpjegim të qartë mbi kontradiktat mes dëshmisë së tij që pranon se ishte ai autor i realizimit të audiopërgjmit dhe Albert Veliut që thotë se nuk e di kush e ka kryer përgjimin.

Gazetari rrëfen se u nis për në Vlorë për të kryer një investigim mbi trafikun e kanabisit, por pas disa takimeve u tërhoq dhe nuk e takoi as Ermalin, personin e përmendur në audio-përgjim.

Olldashi sqaroi se Albert Veliu ishte vetëofruar për të kryer audiopërgjimin. Pas realizmit të tij ai e ka dorëzuar një pjesë në Partinë Demokratike dhe më është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Tv Klan