Ndoshta nuk e kishte për qëllim, por u bë personazh për disa orë. Bëhet fjalë për një hajdut, i cili i vodhi nga duart celularin një gazetari, por në fakt ky do të ishte edhe gabimi fatal për të riun. Hajduti nuk e kuptoi që ishte në një video live në Facebook dhe ka transmetuar fytyrën e tij teksa largohej nga vendngjarja.

Mahmoud Ragheb është gazetari, i cili po transmetonte një video live për sajtin e lajmeve Youm7. Hajduti i shkon pranë me një motoçikletë dhe më pas i grabiti celularin.

E teksa ai largohej me një motor ishte në transmetim të drejtpërdrejtë. Dhe për shikuesit ishte e qartë fytyra e grabitësit, i cili po pinte edhe një cigare.

Në rrjetet sociale shpërthyen komentet. Një përdorues tha se të gjithë “ishin shkrirë së qeshuri”, ndërsa një tjetër pyeste se “pse hajduti shikonte mbrapa, kur e gjithë bota po e shihte para”.

Më shumë se 20 mijë persona ishin të pranishëm gjatë livestream-it. Videoja arriti 6.2 milionë shikime dhe 45 mijë komente për 24 orë.

I gjithë ky transmetim live ishte lajm i keq vetëm për një njeri…hajdutin. Ministria e Brendshme njoftoi arrestimin e tij disa orë pas grabitjes. Në një deklaratë thuhej se ai ishte i papunë dhe se celularin ia kishte shitur një tregtari./tvklan.al