Histori me zhurmues – Ai ishte një nga figurat më të shquara të letërsisë moderne shqiptare. Bëhet fjalë për shkrimtarin Millosh Gjergj Nikolla. Në vitin 1956 eshtrat e shkrimtarit, i cili vdiq në moshën 26-vjeçare në Torre Pellice të Italisë, u rikthyen në qytetin ku lindi, në Shkodër.

Mijëra nëpunës, nxënës e intelektualë të qytetit të Shkodrës parakaluan përpara arkivolit që mbante eshtrat e poetit revolucionar Migjeni. Ai jetoi shumë pak, por për letërsinë tonë qëndron krah shkrimtarëve më të mëdhej shqiptarë.

Për të treguar për historinë e tij ishte e ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Angjelina Ceka, mbesa e shkrimtarit Migjeni.

Pandi Laço: Si u gjend Migjeni në Torre Pellice të Italisë?

Angjelina Ceka: Migjeni u nis për në Torino më 20 Dhjetor të vitit 1937 me dëshirën për të studiuar Letërsi dhe Histori Arti. Dëshira për të studiuar në këtë qytet ishte sepse edhe motra e tij Olga, e cila është nëna ime, studionte në Fakutetin e Shkencave për Matematikë. Brenda dy ditëve ai arrin në Torino sepse rruga ishte e vështirë, por arrin më 22 Dhjetor të vitit 1937. Mamaja e priti me gëzim pasi ëndrra e tij për të studiuar ishte e kahershme. Atje ai nuk u gjend vetëm pranë motrës, por edhe pranë komunitetit shqiptar të studentëve. Përpjekjet për studimet vazhdonin, por këto dokumente nuk arritën në dorën e Migjenit, sepse fati rrodhi ndryshe. Pas një muaji e gjysmë në Torino, klima e ftohtë kishte bërë që sëmundja të avanconte dhe iu desh që të fillonte vizitat mjekësore. Mjekët i rekomanduan që të shtrohej në një spital pranë Torinos. Aty ka qëndruar nga 14 Shkurti deri më 11 Gusht të vitit 1938.

Dokumetacioni në spitale është ruajtur dhe tregon grafitë që nga hyrja në spital. Ai ka patur turbekuloz dhe më vonë pas 4 muajsh qëndrimi, mjekët i kanë rekomanduar një mjekim më të avancuar. Antibiotikët sapo kishin dalë dhe nuk ishin prodhuar për masën e gjerë. Një nga kurimet më të shpeshta ishte pneumotoraksi. Pas kryerjes së pneumotoraksit, ndërhyrja ishte fatale sepse Migjenit iu pengua frymëmarrja. Gjendja u rëndua aq shumë sa vetë mjekët i propozuan të shkonte në një spital ku ajri ishte më i freskët. Nga dokumentacioni që ka patur familja e Migjenit, që Olga solli nga Torre Pellice janë shkrime të fundit të tij. Ai zbërthen tamam qytetin e Torinos.

“Dritat e qytetit, njerëzit që vrapojnë kanë një shpresë për përparim

”, thotë ai në shkrimet e tij. Ai shkruajti edhe prozën e mrekullueshme “Kanga e trumcakut”, që fatkeqsisht një faqe ka humbur sepse mamaja pakon e Migjenit e dërgoi me studentë në Shqipëri dhe faqja e parë ka humbur.

Pandi Laço: Në varrimin e ershtrave të Migjenit kanë qenë personazhe të prozës së tij.

Angjelina Ceka: Kanë qenë miqtë personalë të Migjenit.

Pandi Laço: Cili ka qenë Zeneli?

Angjelina Ceka: Personazhi i Zenelit… Kam shumë dhimbje sepse më ka pëlqyer shumë ajo novelë, që kur kam qenë e vogël e kam recituar në shkollë atë dhe “Lulin e vocërr”. Tani më vjen keq që nuk e kam kuptuar “Zenelin”, sepse është shumë filozofik. Por kur kam qenë në shkollë të lartë pata rastin të njoh një vajzë shkodrane dhe një shoqja ime më thotë që ajo ishte vajza e personazhit të Zenelit. Ajo quhej Zana. Zeneli ka qenë një nxënës i Pukës me një inteligjencë natyrore. Zeneli kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik ishte ngritur në mbledhjen e partisë dhe kishte thënë: Përse armiq, armiq akoma ne? Dhe e kishin vënë përpara në mbledhje dhe ai kishte vrarë veten.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al