Histori me zhurmues – Në fillim ishte kinemaja, pastaj televizioni. Ato na ushqenin me kronika gri, me shumë propagandë dhe pak të vërteta. Fjala zhurmues ka ngacmuar në memorien tuaj, ka bërë zhurmë në skutat e thella të kujtimeve duke sjellë në imagjinatë televizorin Iliria bardhë e zi. Një televizor me një bandë të vetme, atë të VHF-së. Bandën tjetër UKF e sajuan me atë që quhej “kanaçe e grupit”. Kështu netëve ngriheshin antenat dhe mundoheshin të eleminonim zhurmuesin e kanaleve të huaja televizive. Por cili ishte zhurmuesi që bënte lavazhin e mendjeve?

Viti 1956 ishte viti i krizës komuniste në të gjithë Europën. Stalini ka vdekur në vitin 1953 dhe nga Bashkimi Sovjetik kanë mbërritur fjalë se ka përfunduar era staliniane. Në kongresin e 20-të të Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik, Nikita Krushov, sekretari i partisë dënon krimet e Stalinit në një raport sekret i cili nuk bëhet i njohur në Shqipëri. Por në Shqipëri është ende i fortë kulti i individit.

Njazi Jaho ka qenë një nga pjesëmarrësit në konferencën e partisë së Tiranës në vitin 1956-të. Për diskutimin e tij kritik ai u cilësua si element antiparti. Madje u dënua dhe u përjashtua nga partia. I ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues”, me autor dhe drejtues Pandi Laçon, ai rrëfeu detaje rreth konferencës.

Intervista nga minuta 1 – 29

Pandi Laço: Është thënë se Konferenca e Tiranës është nxitur dhe frymëzuar nga jugosllavët, nga ambasada e saj në Tiranë?

Njazi Jaho: Është e vërtetë që është thënë, por nuk është e vërtetë që është organizuar nga jugosllavët apo nga agjentët e tyre. Konferenca e Tiranës është rezultat i një përgatitje paraprake të shumë organizatave të partisë së Tiranës. Orjentimi ishte që para konferencës së partisë së Tiranës që u mbajt në Prill të vitit 1956-të, organizatat bazë të partisë duhet të analizonin punën e tyre, të zgjidhnin delegatët për në konferencën e partisë, të ngarkuar këta që të sqaronin shumë çështje që kishin dalë në organizatën bazë të partisë. Madje edhe të diskutonin çështjet që shqetësonin në atë kohë partinë dhe vendin. Do të ishte absurde të mendohej se 270 organizata bazë të partisë së Tiranës të manipuloheshin nga agjentë jugosllavë. Do të ishte absurde të mendohej se kjo agjenturë kishte penetruar kaq thellë saqë të përmbyste çdo gjë dhe të vinte në lëvizje qindra delegatë.

Pandi Laço: Çfarë kërkuan komunistët e organizatave bazë në këtë konferencë?

Njazi Jaho: Prej kohësh ishin grumbulluar pakënaqësi që çdo ditë e më tepër akumuloheshin. Në aspektin ekonomik kishte pakënaqësi lidhur me standartin dhe pagat e pununjosve dhe në mënyrë të veçantë lidhur me privilegjet e bllokut të udhëheqjes së partisë.

Pandi Laço: Pra ishte krijuar blloku?

Njazi Jaho: Blloku ishte krijuar dhe tregonte se një pjesë e udhëheqjes kishte filluar të përfitonte privilegjet e mundshme të asaj kohe. Në aspektin e brendshëm të partisë delegatët kritikuan probleme të mprehta të mungesës së demokracisë brenda partisë në kundërshtim kjo me tezat marksiste leniniste që brenda partisë duhet të ekzistojë demokracia. Në aspektin e jashtëm çështja e kongresit të një 20-të luante gjithashtu një rol të rëndësishëm sepse në kongresin e 20-të ishte goditur kulti i Stalinit. Delegatët kërkonin të dinin si qëndronte çështja e Stalinit dhe pse nuk bëhej publik Kongresi i 20-të i partisë. U bënë gjithashtu pyetje nëse ekzistonte kulti i Stalinit dhe në ç’mënyrë dhe ç’pasoja kishte ai. Në aspektin e brendshëm dhe të luftës së klasave u kërkua që të rishikohej pozicioni lidhur me përjashtimin e ish-udhëheqësve të partisë, duke filluar nga Bedri Spahiu, Tuk Jakova dhe Sejfulla Malshova të cilët ishin dënuar. Madje në konferencën e Partisë së Tiranës u arrit deri atje sa të kërkohej rehabilitimi i tyre.

Pandi Laço: Meqenëse përmendët kongresin e 20-të të partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Delegacioni i qeverisë shqiptare kur u kthye nga Moska nuk deklaroi pothuajse asgjë lidhur me raportin sekret të Nikita Krushovit. Fillimisht konferenca e Tiranës drejtohej nga Beqir Balluku apo jo?

Njazi Jaho: Po, Beqir Balluku ishte i deleguari i komitetit qendror. Në zhvillimin e kësaj konference si frymëzim ishte kongresi i 20-të i Bashkimit Sovjetik. Kjo për dy arsye. Në kongresin e 20-të u fol sipas pikëpamjes tonë të atëhershme më hapur. U bënë përçapje për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugusllavinë e atëhershme. U fol se në parti duhej më tepër demokraci etj, etj.

Pandi Laço: Cilët ishin elementët të organizatave bazë të partisë të rrethit të Tiranës që u treguan më aktivë në këtë konferencë?

Njazi Jaho: Është vështirë që të dallosh delegatët sepse pjesa dërrmuese u angazhuan me pyetje të shumta. Por, pati edhe nga ata që diskutuan për të cilët mendohet se ishin persona të thjeshtë. Mund t’iu them që kishte delegatë që e parashikonin që mund të mereshin masa ndaj tyre, por sërish folën, ndër ta ishte Nesti Zoto, Adriatik Kanani, Pajo Islami zv. Ministër, Isan Budo, me pozitë në dikaster, etj. Dhe mund t’iu them se këta u ngritën kur erdhi shoku Enver. U kritikuan ashpër dhe efekti i diskutimit të tyre ishte i atillë që edhe ndonjë autokritikë ishte e sforcuar, por dhanë sinjalin e një tendence që kërkonin ndryshim për ta bërë diktaturën më të butë. Unë mendoj se punuan me sakrificë, disa përfunduan në burgje, disa u internuan dhe të njëjtin fat ose më pak pësuan dhe familjet e tyre.

Pandi Laço: Flitet edhe që konferenca e partisë nuk është gjë tjetër veçse shprehje e luftës klanore brenda partisë.

Njazi Jaho: Konferenca e Tiranës nuk kishte qëllim të ndërronte sistemin dhe të vendoste kapitalizëm. Ata që thonë këtë e bëjnë për të treguar se në konferencën e Tiranës ka patur tendenca demokratike. Delegatët në konferencë vinin nga lufta Nacionalçlirimtare dhe kërkonin ndryshime brenda sistemit socialist. Nuk kishte luftë klanesh sepse askush nuk thotë cilët ishin klanet. Konferenca e Tiranës nuk kishte plan që të përbyste udhëheqjen dhe të sillte një tjetër. Nuk kishte synime për të shkuar në Europë. Konferenca kërkonte që përmes kritikave të krijonte mundësinë të arrinte socializëm me fytyrë njeriu.

Pandi Laço: Enver Hoxha nuk ishte prezent në ditët e para, por u kthye nga një shërbim në ditën e tretë.

Njazi Jaho: Beqir Balluku ishte i deleguar i komitetit qëndror të partisë. Mirpo konferenca e partisë ishte kaq e elektrizuar dhe bëri kritika të guximshme saqë asnjëherë nuk kishte ndodhur. U trondit udhëheqja e partisë, pasi pas një muaji organizohej konferenca e tretë e partisë. Për të evituar këtë nuk u lejua asnjë delegate që të zgjidhjej në kongresin e tretë. As Beqir Balluku nuk ishte në gjendje të mposhte frymën e kësaj koference dhe mesa duket u thirr Enver Hoxha për dy arsye.

Së pari, ata që panë situatën nuk deshën të mbajnë përgjegjësi.

Së dyti ardhja e Enver Hoxhës do të ndikonte në zbutjen e gjakrave dhe tërheqjen e delegatëve dhe mposhtjen e zërit të tyre. Erdhi Enver Hoxha dhe nga një fjalim relativisht të butë kaloi në akuza direkte personale të atyre delegatëve që kishin diskutuar.

Pandi Laço: A mund të gjejmë ndonjë element të përbashkët të konferencës së partisë së Tiranës dhe Lëvizjes së Dhejtorit të 1990-ës?

Njazi Jaho: Konferenca me Lëvizjen e Dhetorit është e pakrahasueshme sepse konferenca e partisë së Tiranës zhvillohej 11 vjet pas çlirimit të Tiranës dhe nuk synonte rrëzimin e sistemit. Lëvizja e Dhjetorit ishte me tendenca demokratike me parrullën të shkojmë në Europë dhe me synimin për të rrëzuar komunizmin.

1956-ta ishte moment i “bum-it” në Eurpën perëndimore. Vende si Franca, Gjermania, Italia njohën një zhvillim të madh ekonomik. Televizioni, xhinset, autostradat dhe veturat janë simbole të erës perëndimore. Ndërsa Shqipëria mbahej ende nga ndihmat.

Në mesin e viteve 50-të dhe të rinjtë shfaqnin tendenca antikonformiste, ndaj seksit dhe dhunës. Ishin vitet e rock and roll me simbol Elvis Presly-n.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al