Histori me zhurmues – Pavlina Nika është artistja që njohu famën dhe lavdinë nëpërmjet Radio Tiranës, por fillimet e saj i kishte në qytetin e Korçës ku është shpallur edhe “Qytetare Nderi”. Ajo ka qenë e ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” me autor dhe drejtues Pandi Laçon ku rrëfeu karrierën e saj muzikore.

Pandi Laço: Fillimet tuaja janë me grupin “Lira” në Korçë?

Pavlina Nika: Fillimisht kam qenë në korin e Kishës së Korçës, në kishën e Shën Gjergjit.

Pandi Laço: Në vitin 1946?

Pavlina Nika: Po. Pastaj kalova në korin “Lira” që quhej kori i sindikatave në atë kohë. Aty më ka dëgjuar i ndjeri Gaqo Abrazi, i cili ka qenë “Artist i Popullit” dhe më ka marrë në Ansamblin e Ushtrisë. Në vitet ’50 kam filluar aty. Kam kënduar me Avni Mulën, Ibrahim Kukiçin, me të ndjerin Mentor Xhemali dhe shumë këngëtarë të mëdhenj. Në Korçë kam kënduar me Kristaq Antoniun, me zonjën Kraja dhe kam marrë mësime të mëdha prej tyre.

Pandi Laço: Cilat janë fillimet e muzikës së lehtë shqiptare?

Pavlina Nika: Fillimet e muzikës së lehtë janë me Agim Prodanin në estradën e shtetit.

Pandi Laço: Ishte krijuar një formacion orkestral?

Pavlina Nika: Po ishte një formacion i vogël i drejtuar nga Agim Prodani, ishte dhe vëllai i tij Medi Prodani, ishte Tonin Shala me kondrabas. Ishte një kualitet shumë i lezetshëm. Kishte shumë kërkesa Agimi. Kur regjistronim një këngë rrinim nga ora 4 pasdite e deri në mëngjes. Agimi kërkonte shumë në muzikën e tij.

Pandi Laço: Këto mund të konsiderohen si fillimet e muzikës së lehtë shqiptare?

Pavlina Nika: Po, po.

Pandi Laço: Ju këndonit shumë muzikë të huaj në atë kohë?

Pavlina Nika: Më vonë kam filluar muzikën e huaj, në estradën e shtetit, në vitin 1957-të.

Pandi Laço: Në atë kohë kërceheshin shumë tangot. Filluan të ishin në modë filmat spanjollë e argjentinas. Kërcehej tango dhe vals tek Vollga, në Dajt…

Pavlina Nika: Unë kam kënduar këngë arabe, indiane, çeke, bullgare, polake e kineze. Filmat latinë që vinin unë i shihja të gjithë për t’iu afruar interpretimeve origjinale.

Pandi Laço: Ashtu si formacioni i Agim Prodanit, ishin krijuar edhe grupe të vogla që luanin nëpër bare e restorante dhe njerëzit shkonin, ky ishte argëtimi?

Pavlina Nika: Po, ky ishte argëtimi. Ka qenë shumë i rezervuar aktiviteti se të merrnin e të çonin gjëkundi, o të hiqnin nëse bëje gabim në këngë, ose po të shprehje një fjalë dashurie. Mund të të pushonin edhe nga puna fare.

Pandi Laço: Ka patur raste të tilla?

Pavlina Nika: Po, po ka patur.

Pandi Laço: Kush i jepte orientimet lidhur me muzikën që bëhej në estradë?

Pavlina Nika: Vinin nga partia të gjitha. Kur kishte shfaqje premierë vinin këta të partisë dhe menjëherë na e hiqnin këngën. Bile do t’iu tregoj diçka. Më kujtohet një koncert recital i imi që kam dhënë, kisha këngën “Qielli i lumturisë” dhe më thanë ta heq atë këngë. U ngrit i ndjeri Çesk Zadeja dhe thotë: Si ta hiqni? Këto janë këngë që i këndon gjithë bota. Përse i hiqni?

Pandi Laço: Ndërkohë filmat kishin bërë bujë nëpër kinematë e Shqipërisë?

Pavlina Nika: Po nga filmat i mësoja unë. Ishte kohë e vështirë ajo atëherë të them të drejtën.

Pandi Laço: Ju keni patur një ndjeshmëri shumë të madhe ndaj muzikës latine.

Pavlina Nika: Po, po.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al