Histori me zhurmues – Më 1956-ën u mbajt parada e parë e modës në Shqipëri. Lufta e Dytë Botërore ndaloi modën në të gjithë vendet europiane. I vetmi vend që vazhdoi të investonte fuqishëm ishte Franca. Në vitin 1947 në Francë zhvillohet parada e parë e modës nga Christian Dior. Do të kalonin 9 vjet, në vitin 1956 për t’u zhvilluar parada e parë e modës në vendin tonë. Në Tiranë u hap parada e parë e modës me veshje për gra dhe fëmijë ku u ekspozuan veshje të ndryshme.

Për të folur lidhur me këtë temë ka qenë e ftuar në “Histori me zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Kleri Papa një personazh që lidhej me paradat e para të modës në vendin tonë.

Pandi Laço: Ju keni qenë edhe modeliste edhe rrobaqepëse dhe keni filluar punën në byronë teknologjike.

Kleri Papa: Në artizanat kam filluar.

Pandi Laço: Si funksiononin në atë kohë paradat e modës?

Kleri Papa: Aty ishte një grup, Elsa, Kati, Meremja dhe kishim zhuri ku bënim modelet. Zgjidheshin modelet më të bukura dhe i qepnim. I qepnim me tekstilet e kombinatit, bënim kallëpet dhe visheshim. Mua në fillim më morën për të bërë paradë mode.

Pandi Laço: Sepse ishit vajzë e bukur në atë kohë…

Kleri Papa: Isha me matjet në rregull dhe më mbajtën edhe në punë.

Pandi Laço: Kishte orientime për veshjet?

Kleri Papa: Po patjetër që kishte. Ishin veshje të thjeshta. Fustanet ishin nën gju ose mbi gju pak, jo shumë dekolte.

Pandi Laço: Kishit mundësi të shihnit revista që botoheshin në atë kohë?

Kleri Papa: Jo, jo nuk kishim. Filluan vonë dhe zgjidhnim më të thjeshtat. Dy herë kemi bërë paradë mode pastaj u anuluan, bëheshin vetëm ekspozita.

Pandi Laço: Nga cili vit u quajtën shfaqje të huaja?

Kleri Papa: Nga viti ‘59-60.

Pandi Laço: Cilat ishin ato që u quajtën shfaqje të huaja?

Kleri Papa: Minit, dekoltetë e hapura shumë.

Pandi Laço: Ka patur tendenca në byronë teknologjike për të realizuar veshje pak më të përparuara.

Kleri Papa: Jo nuk na lejonin.

Pandi Laço: Ku prodhoheshin veshjet?

Kleri Papa: Në qytetet e mëdha, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë.

Pandi Laço: Vinin veshje nga jashtë në atë kohë?

Kleri Papa: Jo, vetëm të vendit. Çdo gjë prodhohej këtu.

Pandi Laço: Kishin filluar edhe rrobaqepësit privatë apo jo?

Kleri Papa: Jo, jo rrobaqepës privatë nuk kishte, qepnin nëpër lokale. Në atë kohë ishte e ndaluar të punoje nëpër shtëpi. Ata që punonin e bënin fshehtas.

Pandi Laço: Kishte tendenca për të sjellë në Shqipëri veshje të huaja?

Kleri Papa: Kishte, por nuk lejoheshin.

Pandi Laço: Në stadiumin Dinamo dikur është realizuar një paradë mode me veshje nga Çekia. Çfarë ishte kjo paradë?

Kleri Papa: Unë nuk e di se nuk kam vajtur, por thanë që ishte paradë me rrobabanjo, por një ditë zgjati dhe të nesërmen nuk u fol më për të.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al