Gazetarja Alma Çupi bashkë me stafin e “Histori Shqiptare” këtë herë kanë qenë mysafirë në qytetin e Gjirokastrës. Në kullat mijëvjeçare, shtëpitë dhe rrugët e moçme, mund të gjesh gjurmë të traditave dhe zakoneve shqiptare që janë karakteristikë për këtë qytet. Në udhëtimin e tyre, njihemi edhe me trashëgimtarë të këtyre objekteve të çmuara të vizituara nga plot turistë.

Pothuaj të gjithë atyre që iu kthehet prona, nxitojnë të jetojnë aty. Një pakicë, e shet. Të tjerë e bëjnë biznes, por ka edhe njerëz si Misipi, që as jeton dhe as nuk e shet shtëpinë e tij.

Ai është kthyer në ciceronin e banesës së lënë trashëgimi. Puna e tij është pritja e turistëve, nga mëngjesi deri në darkë.

Misipi thotë se është shenjë e keqe të mbyllësh portën e shtëpisë, kështu që do të mbetet hapur jo vetëm për pjestarët e familjes por për të gjithë ata që kanë kuriozitetin e dëshirën për t’u njohur më këto vlera arkitekturore të këtij qyteti dhe këtyre banesave.

Në pamjet të parë, Misipi nuk të jep përshtypjen që rrjedh nga një familje e kamur gjirokastrite. I është ndaluar e drejta e arsimit gjatë periudhës së komunizmit, megjithatë kjo nuk e ka penguar të mësoj 5 gjuhë të huaja në mënyrë autodidakte.

Arrin të shpjegojë arkitekturën e banesës së paraardhësve të tij, në anglisht, italisht, frengjisht, rusisht dhe greqisht.

Misipi:

I jam përkushtuar gjithë jetën time sepse kam një detyrim dhe përgjegjësi që këto vlera unë sa të jem gjallë t’i ruaj t’ua përcjell brezave të paprekshme sepse janë pjesë e identitetit tonë.

Nëse në shtëpinë e Skëndulajve, turistët kanë ciceronin, vetë trashëgimtarin e shtëpisë, nuk ndodh e njëjta gjë për shtëpinë e Zekatëve.

Alma Çupi:

Ky është Rruzhdi Zeko, pasardhësi i katër i kësaj shtëpi po kaq unike, ndërtuar nga një ish oficer madhor i Ali Pashë Tepelenës. Rruzhdiu, nuk bën rolin e ciceronit, por i lë turistët të hyjnë e të dalin, si në shtëpinë e tyre.

E ndërsa moderatorja e “Histori Shqiptare” e pyet si ishte të jetonte në atë shtëpi, Ruzhdiu përgjigjet:

Atje brenda nuk sëmureshe kurrë moj vajzë, mbroheshim nga era në dimër, ishte fresk në behar.

Temperatura ruhej nga dritaret. Asnjëherë nuk sëmureshim.

Trashëgimtarët e mbetur gjallë të dy shtëpive që japin informacionin më të plotë, të banesave e kullave gjirokastrite, janë të lodhur që jeta e tyre, nuk ndryshoi as me ndryshimin e sistemit. Ata as nuk jetojnë në këto shtëpi e as nuk përfitojnë asgjë.

Por pavarësisht kësaj presin e përcjellin turistë e mbajnë mbi supe përgjegjësinë për t’i ruajtur vlerat e trashëguara dhe për t’i përcjellë ato brez pas brezi./tvklan.al