Bajram Shkreta tregoi në emisionin “Stop” sesi u diagnostikua në mënyrë rastësorë me diabet. Për shkak të agravimit të sëmundjes, ai është detyruar të presë të dyja këmbët.

“Me diabet unë kam që në vitin 1998. Unë isha duke ikur me shërbim në Sarandë me Tefta Radin, por pija shumë ujë rrugës. Shkuam për inagurimin e një spitali dhe i tha që ky (Bajrami) pi shumë ujë. Bëmë një analizë dhe doli diabeti. Jam kuruar, por në vitin  2010 e preva një këmbë. Pas dy vitesh filluan shenjat te gishtat e këmbës tjetër dhe kështu e preva dhe këmbën e dytë”,

rrëfeu denoncuesi.

Ai tha se kur ishte vetëm me një këmbë ishte me statusin e invalidit të punës të grupit të dytë, ndërsa tani është me atë të grupit të parë. Por si të mos i mjaftonte fatkeqësia e tij, prej 6 vjetësh endet nëpër institucione për të marrë statusin e paraplegjikut. Bajrami tregoi se falë ndihmës së miqve të tij, si morale ashtu edhe ekonomike, ka arritur t’ia dalë mbanë.

Gazetari i emisionit “Stop” komunikoi me mjekun dhe përfaqësuesin e Shërbimit Social, Besim Muratin. Ai tha se personat që pretendojnë statusin e paratetraplegjikut duhet t’i drejtohen institucioneve shëndetësore për t’u pajisur me fletën e KEMP-it, e cila brenda 5 ditësh i dërgohet Zyrës së Ndihmës Ekonomike në Shërbimin Social Shoqëror dhe pas 30 ditësh i dorëzohet komisionit për ta shqyrtuar.

Gazetari së bashku me denoncuesin shkuan pranë Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë të Invalidëve dhe më pas në të gjitha zyrat e nevojshme për të zgjidhur problemin e Bajram Shkretës. Prej 6 vjetësh ky i fundit nuk ka mundur dot ta marrë statusin e paraplegjikut, por emisioni “Stop” ia siguroi brenda pak ditësh.

“Kjo s’ka fjalë… 6 vjet për ta siguruar dhe me një faleminderit për emisionin ‘Stop’ ëshët shumë pak! Keni bërë aq të mira, prandaj dhe unë iu drejtova këtij emisioni. Hallall ju qoftë!,

u shpreh i emocionuar denoncuesi./

tvklan.al