Ai është një nga gazetarët më të njohur i cili prej vitesh ushqen një pasion shumë të madh për udhëtimet dhe eksplorimin e botës.

Blendi Fevizu ishte sot në studion “Rudina” në Tv Klan nga ku foli pikërisht për dashurinë për udhëtimet dhe personazhet interesante që ka takuar.

Fevziu tregoi se sapo është kthyer nga një udhëtim pune në Paris ku është takuar me Frederic Mitterrand dhe deklaron se së shpejti do të sjellë Frederic Mitterrand në një intervistë për Mbretereshën Geraldinë. 

 “Udhëtimi im i fundit ishte në Paris, ishte një udhëtim pune. Kisha një personazh shumë interesant, i cili është një nga intelektualët më të njohur që ka Franca, quhet Frederic Mitterrand. Është prezantues i famshëm dhe kritik kinemaje. Është një nga njerëzit më të famshëm në Francë. Ai ka bërë një dokumentar të jashtëzakonshëm për mbretëreshën Geraldinë, rreth një orë e gjysmë. Frederic Mitterrand tha se ka njohur Geraldinën në vitet ’80 në Paris dhe ishte kurioz për jetën e saj. Ai bënte një emision që ishte më i njohuri në Europë dhe thërriste familje mbretërore të botës të cilat ishin në fron dhe që kishin rënë nga froni. Kur e ka takuar herën e fundit i është dukur shumë sharmante. Intervista do të transmetohet në fund të Prillit sepse në 28 Prill është 80-vjetori i dasmës së Zogut me Geraldinën”

, tha Fevziu.

Një intervistë e rëndësishme e kohëve të fundit në “Opinion” ishte edhe ajo me Rudolph Gulliani, ish-kryebashkiakun e  New York-ut, ku u fol për figura si Trump, Putin, Erdogan, Pol Kastelano, Xhon Goti dhe 11 Shtatorin e 2001-shit.

“Këto raste t’i gjen fati. Nuk është shumë kollaj ta takosh Rudolph Gullianin. Gjatë kohës që ishte kryebashkiak i New York ai ka shkatërruar familjet mafioze më të rrezikshme të globit. Ai ka bërë shumë gjëra interesante por kjo është ndër më impresionueset. Ai është personazh shumë karizmatik dhe nuk ka më sot Europa personazhe të tillë. Ai qëndroi në kafen e Klanit edhe pas emisionit, ishte shumë kurioz kur i thashë që kam qenë në Iran. Ai është takuar me të gjithë liderët botërorë. Rrallë të qëllon të intervistosh një njeri të tillë. Ai ishte njeri që kishte dimension të fortë komunikimi”,

tha gazetari.

/tvklan.al