“Policia e Tiranës kreu ditën e djeshme një operacion policor për kapjen e personave të cilët prodhojnë dokumente të falsifikuara. Këtu kemi dy letra, të një cilësie shumë të lartë që blihen në Itali dhe prodhohen Permeso di Sogiorno (leje qëndrimi). Policia ka arritur të gjejë solucione të cilat arrijnë të fshijnë identitetet, ose të dhëna nga dokumentet identifikuese të vërteta. Autorët përdornin dhe shiringa apo dhe maska në momentin ku përdornin kimikatet, pra janë treguar të kujdesshëm për gjithçka”.      

               

Klan Plus siguron detaje të reja për mënyrën se si funksiononte laboratori i prodhimit të dokumenteve të falsifikuara në kryeqytet.

Zyrtarë të policisë tregojnë se çfarë dokumentesh prodhoheshin dhe në çfarë elementësh sigurie arrihej të ndërhyhej nga ana e falsifikatorëve.

“Konkretisht kemi pasaportat italiane të cilave u kanë falsifikuar fotografitë apo gjeneralitetet e tjera, të cilat ua përshtasin sipas kërkesave personave që kanë. Për ta bërë të besueshëm këtë dokument, ata kanë falsifikuar edhe kartën e shëndetit, diploma shqiptare, si dhe porosi për karta identiteti shqiptare, kartat e identitetit italiane. Në dijeninë tonë ata falsifikojnë tërësisht gjeneralitetet, si dhe fotografitë.”

Policia tregon për Klan Plus se gjatë hetimit është arritur të zbulohet se kartat e identitetit shqiptare dhe pasaporta porositeshin kryesisht nga shtetas të Kosovës, për të lëvizur pa viza.

“Për sa i përket kartave shqiptare, këto i përshtasin me gjeneralitetet e personave të cilët figurojnë të regjistruar në regjistrat e Gjendjes Civile shqiptare. Në bazë të disa provave të cilat kanë ardhur nga shteti i Kosovës, fotografi, këta shtetas kanë kërkuar të pajisen me karta identiteti shqiptare dhe pasaportë shqiptare.”

Përfitimi financiar për falsifikatorët ishte joshës dhe ata paguheshin në shifra të ndryshme, në varësi të dokumentit të porositur nga të interesuarit.

“Permeso kushton nga 300 euro deri në 1000 euro. Kartat shqiptare kushtojnë 100 mijë lekë të vjetra deri në 200 mijë lekë. Pasaporta është në varësi të kërkesës që ka klienti. Diplomat pastaj deri në 10 mijë lekë të rinj.”

Nën hetim për të njëjtën veprimtari kriminale, policia ka dhe disa grupe të tjera që bashkëpunojnë dhe me shtetas të huaj.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetar: Spartak Koka