Ishte Mario Meshini ai që i dha policisë karakteristikat e autorit të vrasjes së Devi Kasmit mbrëmjen e 29 Janarit në rrugën “Petro Çani” në Tiranë. Meshini u ndalua pasi hetuesit këqyrën kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes.

Televizioni Klan ka siguruar një pjesë të këtyre pamjeve, ku duket se si 26-vjeçari u largua me motorin e tij pas vrasjes së Devi Kasmit nga greku Eftimiu Eftimius para syve të tij. Siç duket edhe nga pamjet Meshini largohet nga rruga “Kongresi i Manastirit” për në rrugën “Bardhyl” pa mbajtur skafandër në kokë.

Ndërsa këtu i riu lë Unazën dhe futet në rrugën “Dervish Hekali”, që e çonte në banesën e tij. Ai ka mbërritur në banesë brenda pak minutash nga vrasja e Kasmit. Prokurorët dyshojnë se Meshini e nxori viktimën në pritë me anë të një SMS-je që i kishte dërguar, por ai e mohon këtë akuzë.

Akuzat i ka mohuar edhe Efthymiou Efthymious, shtetasi grek i arrestuar i dyshuar si ekzekutor me pagesë. Gjatë dëshmisë në Policinë e Tiranës, ish-polici i forcave speciale greke tha se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se njeh vetëm njërin nga të arrestuarit e tjerë.

41-vjeçari grek u tha hetuesve se kishte ardhur në Shqipëri për turizëm.

Pavarësisht pretendimeve të tij, burime të prokurorisë thanë se në banesën ku strehohej 41-vjeçari grek dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, u gjetën edhe rrobat e përdorura nga ky i fundit në atentatin e 29 Janarit. Edhe këtë të shtunë, banesa ku u gjet një arsenal i madh armësh në pronësi të Aurel Hoxhallarit, i dyshuar si organizator i vrasjes së Kasmit, ishte në ruajtje nga policia. Kamerat e sigurisë së saj, pritet të jenë një element i rëndësishëm në zbardhjen e detajeve të reja.

Ish-efektiv i Forcave Speciale të Policisë Greke u arrestua një ditë më parë, si i dyshuar për ekzekutimin e Devi Kasmit. 

Efthimiu dyshohet se është paguar nga Aurel Hoxhallari për të eleminuar Kasmin. Nuk dihet sa është shuma që 41-vjeçari grek ka marrë për të kryer vrasjen, por gjatë arrestimit atij iu gjet një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra.

Akuzat janë mohuar edhe nga të arrestuarit e tjerë, Elton Halipaj, Malvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Mario Meshini, të cilët vijojnë të mbahen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Ata pritet që të dalin të dielën për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës.

Tv Klan