Tre orë ka zgjatur protesta e 7-të kombëtare e opozitës së bashkuar që nisi fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë me fjalën e kryedemokratit Lulzim Basha dhe që më pas u zhvendos përpara Parlamentit. Protestuesit hodhën një numër të madh kapsollash e flakadanësh drejt uniformave blu. Nga ana tjetër, policia u kundërpërgjigj me gaz lotësjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbyllje të protestës, tha nga selia blu se sot ishte hera e fundit që u flet me argumentet e arsyes, teksa ka bërë një thirrje të fortë duke thënë se në protestën e ardhshme do të flasin qytetarët.

Ora 22:15 – Mbyllet protesta e opozitës së bashkuar.

Ora 22:04 – Lulzim Basha: Mesazhi i qartë dhe i prerë është se Edi Rama dhe banda tij ta harrojë se mund ta mbajë pushtetin me dhunë duke dhunuar qytetarët. Shqiptarët nuk do ta pranojnë mbajtjen e pushtetit me dhunë. Në bëmë gjithçka që asnjë punonjës i rendit, s’e kam fjalën për horrat që hedhin gazin, sepse uniformën e shtetit Rama e ka vënë në shërbim të krimit. Nga dhuna e policisë janë plagosur disa protestues, po i them sot Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt se do mbajnë përgjegjësi para ligjit, përpjekja juaj për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do të marrë përgjigje të merituar. Është mahnitëse për një popull të tërë të bashkuar kështu, të vendosur në mënyrën më të qartë dhe të prerë për vlerën më evropiane pa të cilën nuk ka Europë por vetëm despotizëm lindor për të shkatërruar njëherë e mirë zgjedhjet, institucionet dhe për të qeverisur si kryehajdut. E sotmja është dita e fundit ku unë ju drejtohem me argumentet e arsyes, sepse koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm populli. Sot dua t’ju përsëris zotimin tim, se nuk kërkojmë asgjë më shumë por nuk do të kërkojmë asgjë më pak se Europa. Zgjedhe të lira e të ndershme. Lëre sovranin të flasë me vota, ose dëgjoja zëri në protestën e ardhshme.

Ora 22:00 – Protestuesit nisen drejt selisë së Partisë Demokratike.

Ora 21:50 – Reagon ambasada e Britanisë së Madhe: Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar paqësisht. Nuk ka vend për dhunë dhe objekte shpërthyese në një protestë paqësore. Liderët e protestës kanë përgjegjësinë për të mbajtur demonstratë ligjore, kurse policia ka përgjegjësinë proporcionale për të garantuar ruajtjen e rendit publik. Për të mirën e kujtdo, duhet të ketë protestë paqësore dhe të sigurtë.

Ora 21: 46 – Policia hedh përsëri gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit.

Ora 21:42 – Ministri Lleshaj reagon sërish: Ka mbërritur në 7 numri i policëve të plagosur nga sulmi i militantëve të Lulzim Bashës. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit.

Ora 20:26 – Policia hedh ujë dhe gaz lotësjellës ndaj protestuesve.

Ora 20:17 – Policia thirrje në megafon: Të nderuar qytetarë, Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë. Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla, tymuese dhe sende te forts në drejtim të punonjësve të Policisë. Hedhja e kapsollave, sendeve te forta dhe lëndëve piroteknike po rrezikon jetën e punonjësve të Policisë. Të nderuar organizatorë të tubimit, i nderuar zoti Lulzim Basha dhe z. Gazmend Bardhi, merrni masa të menjëhershme që protestuesit te nderpresin veprimet e dhunshme. Po dëmtoni e rrezikoni jetën e punonjësve të policisë. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike, sendeve te forta në drejtim të Policisë.

Ora 21:00 – Protestuesit sulmojnë me fishekzjarre uniformat blu, Policia e Shtetit bën thirrje për qetësi.

Ora 20:49 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagon në Twitter: Një oficer policie është dëmtuar nga mjetet e ndaluara shpërthyese që hodhën protestuesit. Drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha për të blerë mjete shpërthyese të ndaluara, por edhe vullnet të plotë për të goditur forcat e rendit. I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit!

Ora 20:47 – Presidenti i Republikës, Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve.

Ora 20:39 – Protestuesit mbërrijnë përpara Parlamentit.

Ora 20:25 – Basha dhe protestuesit nisin marshimin drejt Parlamentit.

Ora 19:47 – Lulzim Basha: Ky bashkim popullor është bashkimi i shqiptarëve të vjedhur, të shtypur, të dhunuar, të nëpërkëmbur, të mashtruar, trë tradhëtuar nga një bandë kriminale që kurrsesi nuk mund të jetë qeveria e Shqipërisë. Le ta dëgjojë nga bunkeri ku është fshehur, zërin tuaj. Bëjeni ta dëgjojë e gjithë bota. Sot endet nëpër Shqipëri kufoma politike e njeriut më të urryer që nga diktatura. Edi Rama është njeriu që u kap duke vjedhur votat e shqiptarëve. Sot ai duhet të ishte para drejtësisë, duhej të jepte llogari për vjedhjet. Ky komb është bashkuar në histori rreth kauzave të mëdha dhe me bashkimin e tij ka bërë të mundur mposhtjen e së keqes. Kështu e hodhëm diktarurën. Kurrë më parë kërcënimi për të ardhmen tonë nuk ka qenë mbledhur në një grusht kaq të vogël banditësh me në krye Edi Ramën. Prandaj kjo kauzë do zgjidhet siç i ka zgjidhur Shqipëria e shqiptarëve të bashkuar, me vlera, me bashkim, me kurajo. Ora e tiranisë po numëron mbrapsht. Askush nuk e ndal dot fuqinë e një kombi të bashkuar për liri, për demokraci. Rama ik! Sot Edi Rama ka një propozim për ju, ju vodhi votat në 2017 me kriminelët dhe asnjëri nuk mbajti përgjegjësi, vodhi 40 milionë Euro tek Unaza e Re, banorët në burg, theu këmbët e nënave që mbronin shtëpitë e tyre, asnjë politikan i korruptuar para drejtësisë, dhe tani kur ne i themi nuk e pranojmë më hajdutërinë, përgjigjia e tij është ‘do ju vjedh 10 herë më shumë’. 300 milionë tek Milot-Balldre, kjo është përgjigjia e hajdutit. Ne do ta mundim krimin, ne do ta shporrim qeverinë e krimit. 

E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme. Rrugën tonë të Europës do ta hapim. Vëllezër dhe motra, mos lëndoni oficerët e policisë, mos prekni asnjë oficer policie, sepse hiq 2-3 servilë të inkriminuar, mendjet e tyre mendojnë, ata nuk flasin, por shpirti i tyre këndon ‘Rama ik’. Koha për lojërat e Edi Rama po merr fund. Kufoma politike që i dridhej dora tek lexonte plagjiaturën në Lezhë, tregon qartë se pushteti ka vdekur moralisht. Por ai duhet të marrë fund edhe politikisht. E mori pushtetin me kriminelët, tani kriminelët po i bën apo do t’i bëjë kryetarë bashkie. Ndërsa ora numërohet mbrapsht, ke vetëm një rrugë Edi Rama, “Rama ik”! Ik, qeveri tranzitore, zgjedhje parlamentare, një parlament të popullit është rruga e vetme europiane e zgjidhjes së kësaj krize. Dhe ne jemi këtu për zgjidhje europiane e nuk do të pranojmë asgjë më pak. Koha e fjalëve të tepërta ka mbaruar. Mesazhet tona janë të plota e të qarta. Vendosmëria juaj flet vetë me praninë në këtë shesh. Ne e kemi gati programin dhe vizionin për ta çuar betejën përpara, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Mjerë ai që kujton se këtë energji mund ta injorojë me anti-mitingje. Mjerë ai grusht oligarkësh e ndonjë pronar mediash që mendon se mund ta mbajë me serum kufomën politike të organizatës kriminale të Rilindjes. Ka vetëm një rrugë për ta zgjidhur këtë politikisht, përndryshe e gjithë fatura do të jetë për Edi Ramën. Dua t’ju pyes sonte, a jemi të gjithë bashkë për ta çuar betejën deri në fund, të vendosur të qartë, plot me shpresë për t’ia ferr tiranës së krimit orët që po i mbarojnë. Ju ftoj ta ndezim këtë moment dritën e shpresës nga ky bulevard e ta shtrimë atë si imazhin e bekuar të fitores që po vjen e le të ushtojë nga ky shesh i magjisë së sovranit, thirrja juaj E Duam Shqipërinë Si Gjithë Europa. Ju ftoj të marshojmë së bashku drejt asaj që akoma është strofkulla e krimit, të gjithë bashkë drejt Parlamentit.

Ora 19:30 – Kryetari i PD Lulzim Basha del nga selia blu dhe niset drejt bulevardit.

Opozita e bashkuar ka nisur protestën e 7-të kombëtare duke kërkuar largimin nga detyra të Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të organizuar zgjedhje të lira.

Protestuesit do të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. /tvklan.al