Këto janë pamjet e një aksidenti të rëndë të ndodhur pasditen e kësaj të enjteje në Tiranë. Një 19-vjeçar i cili lëvizte me këtë makinë Benz, humbi kontrollin e automjetit për shkaqe dhe në rrethana ende të paqarta, duke përfunduar në trotuar.

Për pasojë, një vajzë 23-vjeçare mbeti e plagosur. Ajo po ecte në trotuar, kur u përplas nga kjo makinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës rreth orës 19:15, në rrugën “Xhanfizo Keko”, në zonën e Porcelanit. Këmbësorja u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se e reja ka marrë dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtme.

Me të mbërritur në vendngjarje, policia ndaloi shoferin e ri dhe e shoqëroi atë në Komisariat.

Përveç këmbësores, 19-vjeçari mori para edhe një pemë, ndërsa i gjithë aksidenti paralizoi qarkullimin në zonë.

Policia thotë se po heton për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se i riu mund të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara.

“Rreth orës 19:15, në rrugën “Xhanfizo Keko” mjeti me drejtues shtetasin J. B., 19 vjeç, ka aksidentuar një këmbësore ende të paidentifikuar rreth 30 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i mjetit po shoqërohet në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të metejshme hetimore. Grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat. /tvklan.al