Anija greke “Eleftherios Venizelos” e nisur në mesnatë nga porti i Pireut me destinacion për në Xania, u përfshi nga flakët e zjarrit gjatë lundrimit në det. Zjarri nisi fillimisht në garazhdin e automjeteve dhe të bagazheve, ku pati edhe disa shpërthime. Situata u mbajt nën kontroll nga bridaga e zjarrit të anijes.

Në bord ishin 875 pasagjerë dhe 141 anëtarë të ekuipazhit. Rreth orës 02:30 kur zjarri ishte nën kontroll, anija ndryshoi drejtim duke u kthyer sërish pas për në portin e Pireut. Gjatë gjithë udhëtimit, vatra e zjarrit mbahej nën monitorim. Anija “Eleftherios Venizelos” udhëtonte me shpejtësi 16 nyje dhe mbërriti në portin e Pireut rreth orës 04:00.

Për shkak se zjarri nuk ishte fikur plotësisht, u vlerësua se pasagjerët nuk mund të zbrisnin nga seksioni i pasëm pasi përbënte rrezik. Në këtë mënyrë u gjet një zgjidhje tjetër. Udhëtarët dolën nga një seksion anësor i anijes me ndihmën e një shkalle të posaçme, duke zbritur në një anije tjetër. U deshën rreth 40 minuta që nga anija e përfshirë nga zjarri të dilnin të gjithë pasagjerët.

Prioritet u është dhënë fëmijëve dhe të moshuarve. Pasi mbërriti në portin e Pireut, 875 pasagjerët pritën rreth 1 orë e gjysmë përpara se të zbrisnin. Atyre iu shpërndanë maska për t’u mbrojtur nga tymi. E gjithë situata ndërkohë monitorohej edhe nga ajri përmes helikopterit të ushtrisë. E gjithë kjo aventurë e keqe që rrezikonte të kthehej në tragjedi, fatmirësisht u mbyll pa pasoja dhe pa persona të lënduar, përveç dëmeve materiale. Shkaqet e ngjarjes janë të paqarta. Zjarri tani është fikur plotësisht dhe ka nisur një hetim për të zbuluar rrethanat.

/tvklan.al