Mësuesja Liljana Luani është një grua nga Dukagjini që “mjekon” plagët e gjakmarrjes në krahinën e saj dhe përtej. Dy nxënëse të saj e ftuan në rubrikën  “Ka një  mesazh për ty” për ta falenderuar për frymëzimin që u jep me anë të misionit që ka ndërmarrë vullentarisht prej shumë vitesh.

Siç treguan Sindi dhe Rovena, ajo nuk është një mësuese si gjithë të tjerat, jo thjesht nga profesionalizmi, por mbi të gjitha nga shpirti human që e karakterizon. Një projekt i Kryqit të Kuq Shqiptar, për fëmijët që nuk shkollohen, bëri që Liljana të përballej me situatën e vështirë të një fëmije që ishte ngujuar për shkak të gjakmarrjes.

“Ky ishte momenti i cili e preku mësuesen thellë dhe e bëri atë të reflektojë për më shumë. Këtu ka lindur dëshira e saj e mashe për të nisur më pas një rrugëtim të gjatë dhe shumë të vështirë për të shkuar pranë çdo fëmije për t’i mësuar artin e bukur të të shkruarit dhe lexuarit”,

rrëfeu njëra prej nxënësve.

Prej më shumë se një dekade, ajo shkon në malësitë më të thella të Shkodrës për t’i dhënë mësim fëmijëve të ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Ndaj dhe dy nxënëset përfaqësuan zërin e qindra fëmijëve që janë të privuar nga liria, por që mirënjohjen e kanë të pafundme për mësuese Liljanën.

Liljana Luana e pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe erdhi në studion e emisionit “E Diela Shqiptare” për t’u përballur me nxënëset e saj, çka e emocinoi shumë.

Rovena –

Kemi ardhur këtu për të treguar ty dhe për të bërë publike të gjithë mirënjohjen dhe falenderimet tona më të thella për ty, për të gjithë shembullin që ti transmeton për ne. Je një inspirim i përditshëm i joni! Faleminderit për të gjitha sakrificat që ke kaluar gjithmonë , me një vendosmëri, guxim dhe kurajo tepër të madhe. Faleminderit për mesazhin e madh që po na jep për ta përqafuar jetën, siç të na vijë, për ta dashur fort dhe për të mos e lëshuar! Sepse secili prej nesh mund ta bëjë jetën e tij shumë të bukur, mjafton vetëm ëndrra dhe dëshira jonë e brendshme!

Sindi – Dua të të falenderoj për çdo këshillë që na jep! Edhe pse klasa jonë nuk është më nën kujdestarinë tënde, ti gjithmonë je afër nesh dhe kujdesesh për ne, që të jemi një shembull i mirë dhe klasa jonë të jetë një ndër klasat më të mira të shkollës!

Mësuese Liljana i falenderoi nxënëset për fjalët e tyre dhe rrëfeu zanafillën e misionit të saj për të ndihmuar fëmijët që nuk mund të shkollohen për shkak të fenomenit “gjakmarrje”.

“Në vitin 2005 Kryqi i Kuq Shqiptar në bashkëpunim me atë spanjoll bënë një projekt për të identifikuar fëmijët që nuk vijnë në shkollë nga fenomeni i gjakmarrjes. Në periferi të qytetit, para se të shkojmë në fshatin Bardhaj, gjeta një fëmijë që po luante në oborr. E pyeta “pse nuk vjen në shkollë?”. Atij i shkoi një lot dhe më tha “jam në gjak”. Seriozisht u trondita shumë. M’u duk vetja tejet e vogël, mu duk shoqëria tejet e vogël, para atij loti që la një kanal në faqet e palara të atij fëmije. Ai qau dhe qava edhe unë me të. I fërkova kokën dhe në ato momente u betova në heshtje që me tërë fuqinë e shpirtit do të të ndihmoj ty dhe fëmijët e tjerë me problematikë gjakmarrje. Aty ka filluar dhe vazhdon dhe sot”,

tregoi ajo.

Atë çka duhet të bënte shteti, me anë të forcës së ligjit apo burrat e zonës, shpesh herë ka arritur ta bëjë mësuese Lili. Janë të shumta rastet kur ajo ka mundur të bëjë marrëveshje me gjakësit për të lejuar fëmijët që të frekuentojnë shkollën, apo edhe të bëhen pjesë e festave të 1 Qershorit apo aktivitete të tjera. Si zakonisht, Liljana jep mësim në qytetin e Shkodrës, por misioni i jetës së saj shkon shumë më tej.

“Unë vetë jam bijë nga Dukagjini dhe kam dashur t’i shërbej komunitetit nga vij. Kjo mëë shtë dukur pika më delikate që kanë malë sorët. Udhëtimië shtë i vështirë, me furgona dhe me këmbë. Kam ecur me orë të tëra. Nxënësit e mi më kanë pritur me padurim. Sado që lodhem ata më japin forcë. Punoj me gjithë shpirt me ta”,

tregoi mësuese Liljana për përvojën në zonat e thella malore.

Ajo tashmë nuk është thjesht një mësuese që ndihmon nxënësit të shkruajnë e të lexojnë, por edhe një nënë e bamirëse për ata fëmijë, familjet e të cilëve duke qenë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, kanë dhe probleme të theksuara ekonomike. Liljana veçoi rastin e një fëmije që e merr në telefon sa herë që ka një nevojë, përtej mësimdhënies.

“Atë djalë unë e kam jetim. Sa herë ka probleme më merr në telefon. Më mori në telefon dhe më tha “dua bukë”. Mora furgonin, bleva ushqime aq sa kam mundësi me rrogë mësueseje. U nisa bashkë më burrin tim. Ishte kohë e keqe dhe duhej të kaloja me varkë. Liqeni i Vaut të Dejës atë ditë ishte jo gri, por i zi. Duhej të kaloja aty për të shkuar tek ai djalë që t’i çoja bukë. Përpiqem me sa mundem. Nukë shtë se i bëj të gjitha vetëm me rrogën time, por që kam arritur deri diku tu qëndroj afër atyre fëmijëve”,

vijoi të  tregonte ajo.

Mësuesja rrëfeu se lufton fort që këta njerëz të kenë vëmendjen e duhur nga shteti shqitpar dhe gjithë shoqëria. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga kompani të mëdha private, që  kanë promovuar punën vullnetare të mësueses, si dhe kanë dhënë edhe mbështetje financiare.

“Fushata e Vodafone “me zemër” më ndoqi deri në zonat e Dukagjinit. Shkoj dhe me varkë tek nxënësit e mi. Si rezultat i asaj reklame, iu bë rikonstruksioni shkollës, një shkollë model. Ajo ka qenë edhe shkolla ku kam mësuar vetë. Unë ndihem mirë sepse shpesh thonë që “është shkolla qëë shtë rregulluar për Liljanën”

, tha ajo.

Mësuese Liljana është përfshirë aq shumë në misionin e saj sa ka filluar dhe një studim për nivelin arsimor, psiko-social dhe gjendjen ekonomike të fëmijëve, familje e të cilëve janë të prekur nga gjakmarrja. Që nga fshati Curraj i Epër në Tropojë e deri në qarkun e Durrësit ajo po përpiqet të nxjerrë një statistikë të saktë për këtë problematikë. Megjithë se nuk janë aq shumë sa mendohet, mësuese Liljana tha se kyë shtë një fenomen dhe plagë e shoqërisë shqiptare.

Për punën e saj kanë respekt të gjithë, përfshirë këtu dhe “gjakësit”, të cilët jo pak herë i kanë dhënë besën që të kryejë e qetë misionin e saj human tek familjet e ngujuara. Mirënjohjen njerëzit ia shprehin, duke i hapur derën në çdo shtëpi ku ka shkelur dhe kjo për mësuesen nuk është pak.

Përveç dy nxënëseve të pranishme në emision, stafi i “Ka një mesazh për ty”, i ka sjellë një video-mesazh surprizë Liljanës nga një djalë i ngujuar prej 17 vitesh, fjalët e të cilit e kanë bërë të përlotet atë dhe të pranishmit në studio.

Prej pesë vitesh ajo i jep mësim vullentarisht në shtëpi dhe tashmë djali pret të bëjë provimet e klasës së 9-të. Mes falenderimeve të mëdha nxënësi shprehte dëshirën që edhe gjimnazin ta vazhdonte po me të njëjtën mësuese sepse siç thoshte adoleshenti “e vetmja mënyrë për të mësuar se çfarë ndodh jashtë mureve të shtëpisë je vetëm ti”.

Në letrën e nxënësit të ngujuar shkruhej:

E dashur mësuese Lili

Do të doja shumë që këto fjalë të ti thoja personalisht përpara gjithë publikut shqiptar. Ti e di që unë jam tip shumë i mbyllur dhe i vetmi person me të cilin hapem dhe flas, je vetëm ti.

Dua të të falenderoj që ti po bën një sakrificë dhe një punë të pa lodhur për të më mësuar mua dhe vëllain tim. Ne nuk kemi as televizor e as radio dhe e vetmja mënyrë për të mësuar se çfarë ndodh jashtë mureve të shtëpisë je vetëm ti. Sa herë të shoh ty tek dera e shtëpisë mbushem me gëzim. Ti na fal dashuri njëlloj si nëna jonë. Unë këtë vit mbaroj 9-vjeçaren dhe do doja shumë që edhe gjimnazin ta bëja me ty. Të mësoj fort e të të bëj ty krenare. Të dua shumë dhe gjithmonë do e tregoj me krenari që ajo që më bëri të dua librin ke qënë ti se unë kam dashur të bëhem futbollist. Mezi pres ditën që do vish sërish tek shtëpia jonë. Të përqafoj…

Mirënjohja për punën e pa lodhur i ka ardhur dhe nga moderatori i emisionit Ardit Gjebrea dhe nga publiku në studio që e kanë duartrokitur pafund. Me të drejtë edhe nxënëset e saj janë shprehur që “po të kishim disa mësuese si Lili, me siguri që Shqipëria do vuante më pak nga plagët e fenomenit të gjakmarrjes”.

Ajo nuk është thjesht një model frymëzimi për të dashur jetën, por një model i investimit për një shoqëri paqësore e të emancipuar./

tvklan.al