Ky është momenti kur 45 – vjeçari I.L. hyn në kazinonë pranë rrethrrotullimit të “Zogut të Zi”, i pamaskuar dhe më pas i drejton pistoletën punonjësit të sigurisë.

Pasi i kërkon ta dërgojë te operatori që ndodhet brenda kazinosë, kanos edhe punonjësin tjetër. Ai merr paratë, një shumë prej 625 eurosh dhe largohet duke kërcënuar me armë punonjësin e sigurisë.

Më pas i drejtohet në rrugën “Mine Peza” ku planifikonte grabitjen e një kazinoje të dytë.

Në pritje për të kanosur me armë punonjësit, ai u ndalua nga efektivët e Komisariatit Numër 3, që ishin vënë në ndjekje të tij.

Ai u prangos dhe menjëherë u dërgua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Atij iu gjetën me vete 625 euro të grabitura në kazinonë pranë Zogut të Zi, si dhe arma e krimit, një pistoletë “TT”, model 54, me fishek në gojë.

Po ashtu, I.L. iu gjet edhe një pult komandimi që dyshohet se ai e përdorte për të manipuluar makinat e lojrave të fatit, me qëllim për të fituar fiktivisht pikë në to.

Hetuesit dyshojnë se ai është po ashtu i njëjti person që ka kryer edhe grabitjen e ndodhur në rrugën e Elbasanit të mërkurën, kur një person i maskuar mori një shumë prej 2 milionë lekësh.

Tv Klan