Ilir Zelka dhe vrasësi i tij mbërrijnë në të njëjtën kohë në bar restorant Zurich, në Sao Paulo të Brazilit.

Ora shënon 11:04 minuta, me orën lokale. 47-vjeçari Zelka vjen në lokal dhe ulet në një prej tavolinave nga ku mund të dallohet lehtësisht nga jashtë. Ai është i veshur me të zeza dhe në kokë mban një kapele… duket se nuk është hera e parë që vjen në këtë ambient.

Në të njëjtën kohë, atentatori i tij afrohet nga jashtë lokalit. I veshur me të kuqe, maskën në fytyrë dhe me kokoren ngjyrë rozë në dorë, ai ecën paralelisht me Zelkën duke e kontrolluar atë me sy. Sapo 47-vjeçari ulet, autori vendos në kokë kokoren dhe me qetësi afrohet drejt Zelkës duke e qëlluar me armë zjarri. Ora në këtë moment shënon 11:09 minuta.

Ilir Zelka bie përtokë dhe ashtu i shtrirë kërkon të strehohet diku pas banakut. Të shtënat krijojnë panik tek stafi i restorantit. Në video mund të shihet sesi kamarieri, i cili mban në dorë një filxhan me kafe, e lëshon atë dhe vrapon tutje.

Ndërkohë, atentatori largohet me motorin të cilit e braktisi së bashku me rrobat që mbante veshur jo shumë larg vendit të ngjarjes.

Në momentin e atentatit të ndodhur paraditen e 1 Dhjetorit, në këtë restorant që ndodhet në zonën e Jardins, siç shihet dhe nga pamjet nuk kishte njerëz të tjerë.

Mediat braziliane raportuan se shqiptari Ilir Zelka nga Tirana qëndronte në një hotel të zonës që prej 20 Nëntorit. Ai mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, ku dhe humbi jetën, për shkak të plagëve të marra.

Autoritetet policore atje kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen, ndërsa motivet apo autori vijojnë të mbeten mister. Tashmë në dorën e hetuesve janë përveç motorit dhe veshjes së atentatorit, edhe këto pamje të publikuara nga mediat braziliane ku tregohet e gjithë dinamika e vrasjes./tvklan.al