Tvklan.al ishte live në aksin rrugor Milot-Morinë, aty ku një aksident tragjik i mori jetën 4 anëtarëve të familjes Avdijaj nga Kosova, ndërsa e plagosur rëndë mbeti edhe vajza e tyre vetëm 3 vjeçe.

Makina policie, ambulanca e punonjës të mirëmbajtjes rrugore po pastrojnë tashmë rrugën. Siç mund të shihet, makina Citroen me të cilën udhëtonte familja është hequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa kamioni që drejtohej nga një shofer po nga Kosova, ndodhet ende aty.

Ngjarja tragjike ndodhi gjatë orëve të pasdites në rrethana ende të paqarta. Makina që drejtohej nga 51-vjeçari B.Avdijaj, u përplas me kamionin, e për pasojë bashkëshortja e tij A.Avdijaj, 34 vjeçe, dhe dy fëmijët M.Avdijaj, 6 vjeçe, K.Koçi, 11 vjeç, gjetën vdekjen.

E vetmja e mbijetuar është vajza e vogël e familjes, e cila ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. Ajo është 3-vjeçarja V.Avdijaj.

Dyshimet paraprake janë se shkak për aksidentin u bë një parakalim i gabuar nga makina e familjes Avdijaj, megjithatë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë policia ka nisur hetimet./tvklan.al