Dy punonjës të Bashkisë së Matit dhe një banor i fshatit Shëlli u ekzekutuan me kallashnikov në një konflikt që ka ndodhur në këtë fshat. Të tre qenë duke drekuar në një lokal, kur u qëlluan me armë.

Nga breshëritë e plumbave ka mbetur i plagosur 1 person tjetër. Dy nga viktimat dhe i plagosuri po punonin për shtrimin e një rruge në këtë zonë, kurse viktima e tretë ishte klient i rastësishëm.

Mësohet se autori i krimit, Kujtim Koxha i kishte kërkuar punonjësve të Bashkisë që ta shtronin rrugën deri në shtëpinë e tij.

54-vjeçari ka patur një sherr verbal me një nga punëtorët dhe pastaj është konfrontuar fizikisht me punonjësit e Bashkisë dhe ka lënë menjëherë lokalin, për t’u rikthyer sërish i armatosur me një kallashnikov.

Nga të shtënat e armëve kanë humbur jetën Mentor Hoxha 36 vjeç, Erzen Aliaj 49 vjeç dhe Hamit Buci, ndërsa i plagosur ka mbetur Astrit Hani 40 vjeç.

Autori pas krimit ka hedhur automatikun në lokal dhe është larguar. Ai u rrethua nga forcat e policisë nën drejtimin e nëndrejtorit të policisë së Qarkut Dibër, Erzen Cera dhe u kap pas disa orësh rreth 10 km larg vendngjarjes. Policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit për të parandaluar ndonjë hakmarrje të mundshme.

Tv Klan