E keni menduar ndonjëherë të jetoni në një shtëpi të printuar në 3D? Në Holandë mund ta bëni. Shkencëtarët holandezë nuk u mjaftuan thjesht me një shtëpi 3D. Ata vendosën që për herë të parë në botë të ndërtojnë një lagje ku të gjitha banesat do të jenë të stampuara në këtë teknologji.

Ndërtimi i lagjes në qytetin Eidenhoven pritet të nisë vitin që vjen, ndërsa printera masivë të betonit po zëvendësojnë muratorët. Fillimisht mendohet të ndërtohen 5 shtëpi. E para do të jetë një vilë një katëshe 95 metra katrorë.

Lagjia pritet të jetë e banueshme nga mesi i vitit 2019, por i gjithë projekti do të përfundojë brenda 5 viteve.

“Ne e pëlqejmë pamjen e shtëpive dhe besojmë se ky inovacion është dizajni i së ardhmes. Tashmë jemi duke parë mundësinë që njerëzit të ecin shumë hapa para, të dizenjojnë shtëpinë e tyre dhe ta printojnë atë. Po ashtu do t’u jepte mundësia të personalizojnë banesën e tyre”

shprehet Rudy Van Gurp një nga arkitektët e projektit.

Ai shtoi se në pak vite rreth 5% e shtëpive do të ndërtohen me këtë teknologji. Në Holandë, gjithnjë e më shumë ka mungesë muratorësh, pasi pjesa më e madhe e njerëzve zgjedhin të punojnë në profesione më të lehta, për këtë arsye thonë arkitektët, banesat 3D janë një zgjidhje e mirë për të ardhmen.

Klan Plus