“Njeriu me këmishë” është një film historik që ndërthur të vërtetën, legjendën, mistiken dhe bukurinë e peisazheve që kalojnë në kohë të ndryshme. Filmi është projekti kinematografik me regji të Luan Kryeziut i cili ka bërë bashkë një kast aktorësh nga Shqipëria dhe Kosova. Filmi ka në qendër të tij një personazh historik, figurën e Muharrem Bajraktarit i cili ka qenë komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë gjatë periudhës së qeverisjes së mbretit Zog. Ai ka qenë njeriu më i pushtetshëm në të gjithë verilindjen. Kryeziu i ftuar në emisionin “Rudina” tha se ka zgjedhur që aktorët të jenë të brezave të ndryshëm ku pjesë e këtij kasti ishte edhe Eva Murati e cila ishte sëbashku me të në studio.

“Muharrem Bajraktari është një personazh veprimtaria e të cilit është e njohur gjatë luftës së Dytë Botërore. Është një figurë e veçantë dhe rrallë na bie të lexojmë për një personazh të tillë. “Njeru me këmishë” nënkupton një njeri që nuk vritet kurrë. Por, ka besëtytni se Bajraktari ka lindur vërtetë i tillë, pra me këmishë. Bazuar në ngjarjet që kam lexuar dhe që më kanë rrëfyer është e pabesueshme se si kanë ndodhur ngjarjet. Ai ka patur disa poste gjatë gjithë kohës dhe ka qenë i përgatitur pasi kishte qenë kolonel”

, tha Kryeziu.