Në 9 Mars 1997, të mbledhur në Presidencë, të gjitha forcat politike arritën një marrëveshje për krijimin e një qeverie që do të quhej Qeveria e Pajimit Kombëtar. Ata vendosën që të zgjedhin si kryeministër një socialist. Partia Socialiste propozoi emrin e Bashkim Finos, që ishte kandidatura që u pranua edhe nga Partia Demokratike në raport me disa kandidatë të tjerë. Bashkim Fino, i cili kishte qenë ish-kryetar i bashkisë së Gjirokastër, nuk dinte gjë… nuk dinte gjë as Fatos Nano, kryetari i Partisë Socialiste që ishte në burg.

Por si e kujtonte Fino momentin kur mori lajmin?

Më bie zilja e telefonit në shtëpi dhe normalisht isha më afër unë se të tjerët. E marr telefonit dhe matanë receptorit të telefonit dëgjoj zërin e Namik Dokles dhe nisi siç e ka Namiku me humorin e tij; ore sikur të të them një lajm që dua të të propozoj që të bëhesh kryeministër besoj se dhe ti nuk ke mendim kundër. I thashë, Namik mos u tall, por si është situata, çfarë bëhet? Jo-jo, tha, e kam shumë seriozisht dhe filloi të më tregonte me detaje të gjitha bisedat që kishin bërë si forcë politike me presidentin e asaj kohe Berisha”.

Një helikopter qeveritar, që mori konsensusin e komiteteve të shpëtimit publik të jugut, zbriti në aeroportin e Gjirokastrës për të marrë Bashkim Finon dhe për ta sjellë si kryeministër të vendit. Një trupë greke arriti të filmonte jo vetëm nisjen e tij nga Gjirokastra, por edhe takimin e tij të parë me presidentin e asaj kohe, Sali Berisha, në Presidencë.

Këto momente, së bashku me imazhe të tjera tronditëse të ngjarjeve të 1997-s, u risollën nga emisionin Opinion në vitin 2019.

Bashkim Fino u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të hëne në moshën 59-vjeçare, për shkak të komplikacioneve nga Covid-19./tvklan.al