Tv Klan ka siguruar pamje nga momenti që i parapriu përplasjes me armë mes dy grupeve, përpara një lokali në rrugën “Irfan Tomini”, në Selitë në Tiranë ku të premten e 16 Shkurtit u plagosën 2 persona.

Pamjet e kamerave të siguruara nga TV Klan, tregojnë se si në lokalin e Florian Musait hyjnë fillimisht 3 persona. Ata e takojnë 25-vjeçarin i cili ndodhej në shoqërinë e dy të njohurve të tij në një nga tavolinat. 

Ata që mbërrijnë, sipas grupit hetimor, janë pjesë e grupit të 27-vjeçarit Gjon Pelivani. Duket si një takim sqarues mes palëve, por situata tensionohet menjëherë. Nuk mungojnë gjestet kërcënuese. Fillimisht shtyhen me duar duke i kërkuar llogari njëri-tjetrit. Pas fjalëve, në dritë kanë dalë armët. Në një moment shihet se si një person mban pistoletën në dorë duke kërcënuar publikisht Musain dhe ata që e shoqërojnë.

 

Hetuesit thonë se edhe ky person që vjen menjëherë nga jashtë fsheh një armë poshtë xhupit jeshil që mban veshur. Ndërsa gjakrat janë nxehur, dikush propozon që të sqarohen jashtë pasi, siç tregon me dorë, në lokal ka edhe kamera.

Pas këtij momenti të gjithë kanë dolën jashtë. Edhe aty vazhdojnë të debatojnë me njëri- tjetrin derisa gjithçka ka përfunduar me përdorimin e armëve. Akti final nuk është kapur nga kjo kamerë sigurie, por policia thotë se ka pamje të tjera që vërtetojnë se Florian Musai hapi zjarr ndaj grupit të personave që e kërcënonin.

Aty mbeti i plagosur në këmbë Gjon Pelivani, si edhe kamarieri 31-vjeçar Renato Hoxha. Në pranga u vunë Pelivani dhe Musai, ndërsa në kërkim shpallën dy persona të tjerë. Ende nuk dihet motivi i saktë i konfliktit, ndërsa policia po heton ngjarjen në disa pista.

Tv Klan