Ky është momenti kur Lefter Zhidru nxjerr një kallëp tritoli nga ballkoni i banesës së tij, që fatmirësisht nuk shpërtheu. Në këto pamje të siguruara nga gazetari i tvklan.al, Spartak Koka, 71-vjeçari shihet teksa i përkulur nxjerr kokën nga perdja e ballkonit dhe hedh lëndën eksplozive. Teksa bënte këtë veprim, i moshuari i bërtiste policisë se “nuk ishte i çmendur”.

Pamjet u filmuan pak kohë përpara se ai të ekzekutohej nga autoritetet policore.

Më herët, tvklan.al solli edhe pamjet brenda shtëpisë së 71-vjeçarit, i cili një ditë më parë terrorizoi Elbasanin. Shtëpia në lagjen 11 Nëntori, i përngjan një skene që duket e shkëputur nga një film aksion.

Vrimat në mur si pasojë e të shtënave me armë janë të dukshme thuajse në çdo cep të banesës, ndërsa në vendin ku u ekzekutua, shenjat e gjakut janë ende të freskëta.

71-vjeçari Lefter Zhidru u ekzekutua pas rreth 5 orësh rezistencë.

Aksioni i RENEA-s për të ndërhyrë brenda banesës ndodhi orës 18:00. Forcat speciale shpërthyen me eksploziv derën kryesore të apartamentit dhe më pas hodhën gaz lotsjellës dhe tymuese.

71-vjeçari qëlloi me armë gjatë këtij momenti, ndërsa RENEA u kundërpërgjigj. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Lefter Zhidru.

Brenda banesës së 71-vjeçarit, RENEA gjeti sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe tritol të lidhura me fitil zjarrpërcjellës./tvklan.al