Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u paraqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda mëngjesin e së kësaj të premteje.

Gjykata duhet të dëgjonte edhe pretendimet e tij pas vendimit për bllokimin e pasaportës që nuk e lejon Tahirin të lëvizë jashtë vendit.

Në seancën e zhvilluar pa praninë e kamerave, deputeti Tahiri dhe avokati i tij kanë kundërshtuar vendimin e dhënë nga gjyqtarja Liliana Baku. Sipas tyre, masa për ndalim është e pabazuar pasi Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të re.

Avokati Maks Haxhia tha se mbi Tahirin nuk rëndojnë akuza të reja dhe nuk ka arsye për t’i bllokuar lëvizjen. Por sipas prokurorit, provat e reja janë dosja e përkthyer në datën 21 Nëntor nga Ministria e Drejtësisë e cila ka mbërritur në Tiranë nga Prokuroria e Katanias. Akuza zbuloi se në dosje janë edhe disa hyrje – dalje jashtë vendit që Tahiri ka kryer me persona të ndryshëm.

Sipas ish-ministrit, ai ka pafund hyrje-dalje jashtë vendit me kë makinë ka dashur dhe kjo nuk përbën vepër penale. Por në asnjë rast, sqaroi Tahiri, nuk ka udhëtuar me një kriminel. Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja vendosi të lërë në fuqi masën e ndalimit për ish-ministrin. Vetë Tahiri nuk pranoi të bëjë komente duke premtuar se do të sqarohet së shpejti.

Saimir Tahiri:

“Do të flas së shpejti”.

Ndersa avokati Maks Haxhia akuzoi Gjykatën se është kthyer në një notere të Prokurorisë.

Mbi Saimir Tahirin vijojnë hetimet për lidhje me grupin e trafikantëve të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj, i cili u arrestua në Itali së bashku me 6 persona të tjerë.

Tv Klan