Nxënës dhe studentë të ekselencës ishin të parët që shijuar emocionet e fluturimit me Lasgushin, avionin e parë të kompanisë ajrore shqiptare Air Albania, linja që do të mbajë logon e shqiponjës dykrenare dhe flamurit kuq e zi.

Ky fluturim simbolik, që është kryer mëngjesin e kësaj të shtunë me destinacion Stambollin, do të pasohet nga disa të tillë këtë muaj të parë më të njëjtin destinacion Tiranë-Stamboll-Tiranë. Kryeministri Rama zgjodhi të asistojë nisjen e të rinjve nga aeroporti i Rinasit, që sipas tij janë oguri më i mirë për nisjen e fluturimeve të kompanisë ajrore shqiptare, me kapital publik dhe privat.

Muaji i parë do të shërbejë si muaj testi për Air Albanian, më pas Lasgushit, Airbus-it 319 që mban emrin e poetit të madh Lasgush Poradecit, do t’i bashkangjitet dhe avioni tjetër Migjeni, që do t’i shtrijë fluturimet dhe në Romë, Londër, Athinë, Mynih dhe Barcelonë.

E gjithë flota e avionëve që Air Albania do të krijojë do të mbajnë emrat e poeteve me njohur shqiptar. Ambicia, siç kryeministri Rama deklaroi në ceremoninë inauguruese, të zhvilluar të premten në aeroportin e Rinasit, është që brenda vitit të ardhshëm nga hapësira ajrore shqiptare të ngrihet dhe Noli, me destinacion SHBA.

Premtimi që bëjnë drejtuesit e Air Albania-s është ofrimi i biletave ekonomike dhe çmimeve konkurruese, në një kohë që shqiptarët prej vitesh përballen me çmimet më të kripura, krahasuar me të gjithë vendet e rajonit dhe Europës.

Tv Klan