Një aksident ka ndodhur mbrëmë pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë, ku ka mbetur i plagosur një drejtues motori. Ky i fundit u përplas nga një automjet, që i preu rrugën për shkak të mosrespektimit të semaforit.

Pasi përplasi motorin, drejtuesi i automjetit u largua nga vendngjarja duke mos i dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Aksidenti u filmua nga kamera në bordin e një automjeti, i cili njoftoi policinë.

Uniformat blu u vunë në ndjekje të automjetit që përplasi motorin, dhe pas konstatimit drejtuesi i mjetit u ndalua. Rezultoi se ai ishte i dehur në masën 0.83 mg/l.

Shoferi 37-vjeçar me iniciale A.N. u arrestua për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe iu pezullua patenta për mosdhënie ndihme të të dëmtuarit dhe largim nga vendi i aksidentit.

/tvklan.al