Këto janë pamjet e rrëzimit të pemës ditën e djeshme në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Tvklan.al ka siguruar videon nga kamerat e sigurisë së biznesit të qytetarit Genci Veizi. Në sekondën e 4” të videos, shihet momenti kur pema rrëzohet dhe dëmton dy taksi që ndodheshin të parkuara në anë të rrugës pranë ambasadës zvicerane.

Ndërkohë, një taksi tjetër me pasagjerë e cila ishte në lëvizje, i ka shpëtuar mrekullisht tragjedisë, duke kaluar 2 sekonda para rrëzimit të pemës, sikurse duket në pamje. Fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua, duke shmangur kështu një ngjarje tragjike. Qytetari Genci Veizi, i cili ka biznesin e tij pranë vendngjarjes, u bën apel organeve kompetente që të verifikojnë pemët e vjetra në kryeqytet për të parandaluar incidente të tilla që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Kjo ngjarje ka ndodhur rreth mesditës të së enjtes në orën 11:00.

Në vendngjarje shkuan forcat e policisë dhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët nisën punën për të hequr nga rruga pemën e rrëzuar. Pas ngjarjes së djeshme, punonjësit hoqën edhe pemët e tjera në atë zonë që shfaqnin rrezik për qytetarët. Po dje, një tjetër pemë u rrëzua në rrugën “Qamil Guranjaku”, fatmirësisht pa të lënduar.

/tvklan.al