Mbulimi i monumentit të Skënderbeut gjatë faljes së Namazit të Kurban Bajramit shkaktoi reagime të mëdha në rrjetet sociale. Një ndër ta ishte edhe artisti Robert Aliaj i cili përmes një statusi në rrjetet sociale shkruante se: “Degradimi dhe balta që hidhet mbi figurën madhështore të Skëndërbeut, mbrojtësit të qytetërimit perëndimor bëhet nën ndikimin dhe devijimin moral të elitave”.

I ftuar në “Zonë e Lirë”, Aliaj tha se nuk është normale që një shesh që është i të gjithëve të uzurpohet.

“Skënderbeu është arsyeja pse ne jemi shqiptar, bashkë dhe një komb, është figura më e plotë që respekton dhe bota dhe që i ka dhënë një vend. Unë nuk kam asgjë personale, nuk dal në mbrojtje të Skënderbeut, por këto gjëra vijnë sepse ne jemi një popull hipokrit, jetojmë me iluzione. Na u dha një iluzion si harmonia fetare. Unë s’jam pro komunitetit mysliman që denigruan Skënderbeun. Dua të them që në rast se myslimanët kanë probleme me idhujt e katolikëve, nuk ka nevojë që ambientet publike të shfrytëzohen, të falen diku ku nuk ka objekte. Nuk e shof pozitive që një shesh që është dhe i imi dhe i joti të uzurpohet, këtë nuk e shoh normale. Unë nuk shof harmoni aq sa ne pretendojmë. Ajo që më shqetëson mua është radikalizmi” tha Aliaj.

/tvklan.al