Një prej gjarpërinjve më të pakapshëm në botë është rishfaqur pas një kërkimi 64-vjeçar të shkencëtarëve në Brazil.

Ky lloj gjarpri i quajtur Boa e Cropan-it (

Corallus cropanii

) është parë i gjallë nga shkencëtarët për herë të fundit në vitin 1953.

Që prej asaj kohe, gjarpri –  i cili mendohet të jetë një nga llojet më të rralla – është parë nga shkencëtarët vetëm pesë herë, thotë “ScienceMag”. Por, të gjitha herët që shkencëtarët e kanë parë, ai ka qenë i ngordhur. Ky lloj gjarpri jeton në pyjet e Atlantikut, në jug të Sao Paolos në Brazil.

Tanimë, shkencëtarët kanë një shans të dytë për ta studiuar këtë specie të rrallë, falë një gjarpri femër 1.7 metër të gjatë të kapur nga punonjësit rural.

Gjarpri, i cili nuk është helmues – ka bark të verdhë dhe shpinë të mbuluar në të zezë. Ai peshon rreth 1.5 kilogramë dhe me shumë gjasa ushqehet me gjitarë të vegjël dhe zogj.

Ky gjarpër ishte me fat pasi një prej punëtorëve po e vriste kur tjetri e ndaloi duke i thënë se ky është lloji që kërkohet nga shkencëtarët e Universitetit të Sao Paolos, të cilët kishin nisur edhe program për trajnimin e banorëve lidhur me gjarpërinjtë.

Shkencëtarët tashmë planifikojnë ta ri-lëshojnë në pyll gjarprin e rrallë së bashku me një radio-transmetues.

Shkencëtarët e vendosën atë në pemë të ndryshme dhe ajo u ngjit me lehtësi, ç’ka edhe mund të shpjegojë pse është parë kaq rrallë./tvklan.al