Liri Berisha ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan nga ku rrëfeu se si e ka njohur ajo Nënë Terezën. Në kuadër të ditës së lumturimit të Nënë Terezës, zonja Berisha tregoi takimin e parë me të në 1991-shin.

“Ka qenë një njohje që është bërë e ditur shumë vonë. Nuk kam qenë më shumë se 13 vjeç kur shkonim luanim në oborrin e një miku të babait tim të mbushur me lule në Rrugën e Kavajës. Ai ishte Avni Zajmi, një nga figurat e nderuara të sportit. Ishte koha kur ne deklaroheshim si vend ateist, një kohë kur me fushata prisheshin institucionet dhe kultet fetare dhe familjet që kishin njerëz jashtë shtetit ishin të dyshimta dhe persekutoheshin. Pikërisht këtë ka ndjerë nëna Drane dhe motra e Nënë Terezës, Agia në kohën kur humbën Kolën, i cili mendohet të jetë helmuar. Ata mbetën mes katër rrugëve dhe ky njeri e ka futur në shtëpi dhe e ka strehuar. Unë mbaj mend që në atë oborrin e bukur ishte një derë e hapur ku errësira nuk të linte të shikoje asgjë dhe dy gra. Njëra ishte e thyer, mbante veshur një fustan të gjatë të bardhë, fliste ngadalë, kësaj i thërrisnim nëna. Tjetra ishte më e re. Kurioziteti për ta m’u shtua kur shikoja që të rriturit diskutonin me keqardhje dhe nderim për këto të dyja. Një ditë kur kthehem në shtëpi pyes nënën time: Kush janë këto dy gra? Ajo më thotë: Ato nuk janë dy gra, janë dy zonja të nderuara. Dhe aty më tregoi një histori të shkurtër që kjo nëna ka edhe një vajzë tjetër, e cila që 16 vjeç është larguar për studime, tani merret me një mision shumë të madh, por diku larg. Dhe vajza që jetonte me nënën është larguar nga puna pikërisht prej saj dhe tani nxjerrin bukën e gojës me punën e dorës.

Për 20 vite, unë nuk kam ditur asgjë për ato të dyja. Një ditë isha përpara televizorit dhe kam shtangur kur dëgjova që një shqiptare merrte çmimin Nobel. Aty kam mësuar se ajo ishte Nënë Tereza, vajza e munguar e asaj zonje në shtëpinë e Zajmëve. Pastaj kam mësuar se nëna dhe motra e Nënë Terezës kishin kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të takohen dhe që i ishte refuzuar kërkesa. Shpeshherë kam menduar se sa zemërthyer është larguar nga kjo jetë nëna Drane, e cila e pa deri në moshën 16-vjeçare vajzën dhe asnjëherë më.

Unë e kam takuar Nënë Terezën kur ajo erdhi në Shqipëri, në 1991 në Dhjetor, para Krishtlindjeve. Shkuam me Saliun të shikonim shtëpinë të cilën ajo i kishte dhuruar të motrave, ku ndihmonte njerëzit e varfër tek Rruga e Elbasanit. E kam pritur me shumë kuriozitet dhe në momentin që kemi hyrë në dhomë jam befasuar. Në një dhomë të madhe me parket ishin ulur 4-5 motra me shtupë në dorë dhe fërkonin dyshemenë. Njëra nga ato ishte Nënë Tereza, ajo u ngrit dhe me duart e hapura erdhi drejt nesh. Më bëri përshtypje jo vetëm mikpritja, por edhe energjia që ajo kishte, ajo dukej shumë e re, kishte zë kumbues dhe imponues. Nuk i shpëtonte asgjë vështrimit të saj. Na tregoi shtëpinë ku ishte e mbledhur dhimja dhe na tha: Uria më e madhe nuk është uria për një kafshatë bukë, uria më e madhe është për pak dashuri, për pak vëmendje dhe për pak përkujdesje. Më ka mbetur në mendje përkujdesi i saj, i cili kishte vërtetë pamjen e një nëne”,

tha Liri Berisha.

/tvklan.al